Sport

FBK dënon ashpër dhunën dhe huliganizmin në basketboll


Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dënon ashpër dhunën dhe huliganizmin në basketboll.

Gjatë finales së Superkupës mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës, tifozeritë e dyja klubeve njëherë filluan të gjuanin sende të forta mes vete dhe më pas filloi edhe përleshja fizika.

Nga kjo u desh të ndërhynte policia, ku më pas i largoi të gjithë nga salla.

Shkrim nga FBK:

FBK ka bërë të gjitha përgatitjet në lidhje me Superkupën e Kosovës dhe sidomos ndeshjen finale ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës.

Para kësaj përballje është mbajtur edhe një takim me Policinë e Republikës së Kosovës, ku është marrë vendim që të largohen të gjitha ulëset VIP, kemi krijuar tampon zone mes tifozerive, e kemi përgatitur planin operativ për ardhjen dhe largimin e tifozerive, si dhe janë angazhuar forca te mjaftueshme të Policisë dhe sigurimit privat.

Dënojmë fuqishëm dhunën e shfaqur në takimin e finales Sigal Prishtina – Trepça dhe do të bëjmë të gjithë përpjekjet që këto skena të mos përsëriten asnjëherë në basketbollin e Kosovës.

Ne kemi ndaluar udhëtimet e tifozëve mysafirë në Superligë dhe do të vazhdojmë me masa tjera, deri në zhdukjen e huliganizmit, që nuk ka vend në sportin tonë të dashur dhe që kemi derdhur dhe po derdhim shumë djersë.

FBK do të analizojë ndeshjen e sotme dhe do të marrë masat e nevojshme.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, është ftuar të hënën për të raportuar para institucioneve rreth incidentit të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore