Lajme

Estonia, vendi që i vendos barriera të forta keqinformimit


Trazirat në kryeqytetin e Estonisë, Tallinn, u flakëruan për dy ditë radhazi.

Protestuesit u përleshën me policinë kurse grabitësit u tërbuan.

E gjitha prej një polemike rreth një vendimi për të zhvendosur një statujë ushtarake të ngritur gjatë sundimit sovjetik.

Zemërimi në mesin e pakicës rusisht-folëse të Estonisë u nxit nga lajmet e rreme të përhapura në internet dhe nga raportimet ruse.

Me kaq nuk u ndal. Fushata e keqinformimit u përshkallëzua në atë që konsiderohet si sulmi i parë kibernetik kundër një vendi të tërë.

Një sulm i lidhur me Rusinë që çoi në mbylljen e faqeve të internetit të qeverisë, bankave dhe mediave të Estonisë.

Por pas sulmit të vitit 2007, u vendosën të ndërmerren veprime.

Tanimë, vendi është bërë lider i sigurisë kibernetike që synon të mbrojë infrastrukturën e vet në internet nga sulmet e ardhshme.

Ka bërë edhe diçka tjetër në përpjekje për të mbrojtur veten nga agresioni digjital. Vendi i vogël baltik po përdor edukimin mediatik për të ndihmuar qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj keqinformimeve.

Shkollat ​​publike estoneze, prej vitit 2010, u mësojnë nxënësve të tyre edukimin mediatik. Nxënësit në klasën e dhjetë ndjekin edhe një kurs të detyrueshëm 35-orësh me fokus “media dhe ndikimi”.

Siim Kumpas, ish-këshilltar i komunikimit strategjik në qeverinë e Estonisë, tregon se edukimi mediatik është “po aq i rëndësishëm sa matematika, shkrimi apo leximi”.

Sipas Marin Lessenski, drejtor programi në Institutin e Shoqërisë së Hapur, me qendër në Sofje, Bullgari, renditja në maja e Estonisë mbi edukimin mediatik “siguron parakushte solide për t’u marrë me keqinformimin”.

Kjo përpjekje dhjetëvjeçare e Estonisë për t’i mësuar njerëzve të vet të dallojnë informacionin e besueshëm nga gënjeshtra, mund të jetë një pjesë e rëndësishme, por më pak e diskutuar.

Qasja duket se po shpërblehet.

Vitin e kaluar, vendi u rendit i treti në Indeksin e Literaturës Mediatike 2021, të përpiluar nga Iniciativa e Politikave Evropiane e Institutit të Shoqërisë së Hapur (OSI), pas Finlandës dhe Danimarkës.

Referuar OSI-së, në indeksin e 35 vendeve evropiane, vendet me vlerësimin më të lartë kanë potencialin më të lartë për t’i bërë ballë keqinformimeve.

Pozicioni i Estonisë në indeks vjen edhe pse të ardhurat mesatare vjetore të saj janë më pak se gjysma e atyre të vendeve të pasura evropiane të renditura në krye.

Paçka se numëron një popullsi prej vetëm 1.3 milionë banorësh, njihet si një nga vendet më të avancuara në botë në aspektin digjital.

Kompetenca digjitale e Estonisë është gjithashtu pjesë e identitetit të saj si lider në teknologjinë dhe digjitalizimin e votimit, regjistrimin e taksave dhe pjesën më të madhe të jetës qytetare.

Për Kumpas, aftësitë e mira të edukimit mediatik “i bëjnë njerëzit më elastikë jo vetëm ndaj ndërhyrjeve armiqësore në fushën digjitale, por edhe ndaj zhurmës, vrazhdësisë, gazetarisë së keqe dhe gjithçkaje tjetër”.

Atje, praktikat kombëtare të sigurisë kibernetike u galvanizuan nga marrëdhënia historikisht e ngjeshur me Rusinë. Vendi rifitoi pavarësinë nga sundimi sovjetik në vitin 1991 dhe që atëherë e ka gjetur veten ndër objektivat e agresionit rus.

Që nga sulmi kibernetik i vitit 2007, Rusia është akuzuar për agresion në internet kundër vendeve të tjera të afërta, si Gjeorgjia dhe veçanërisht Ukraina.

Mirëpo, qeveria ruse i ka mohuar vazhdimisht përfshirjet në sulmet kibernetike.

Koncepti i vetë-krijuar i “e-Estonisë” dhe një shoqërie digjitale të sofistikuar duket se është rrënjosur thellë te qytetarët.

“Duhet të mendojmë për të gjitha gjërat kibernetike dhe digjitale”, tregon Maria Murumaa-Mengel, pedagoge dhe mësuese e edukimit mediatik për 15 vjet.

Kjo e fundit ka dizajnuar kurse për edukimin mediatik dhe digjital në universitet dhe në shkollat ​​e mesme.

Në shkollat ​​fillore dhe të mesme estoneze, nuk ka një kurs specifik për edukimin mediatik. Përkundrazi, konceptet janë të integruara në lëndë të tjera.

Por kursi i detyrueshëm i shkollës së mesme fokusohet në rolin e medias dhe gazetarisë në shoqëri, duke përfshirë mënyrën se si funksionojnë mediat sociale, si funksionojnë robotët dhe trollet dhe si të mbrohen kundër tyre.

Krahas klasës së detyrueshme, shkollat ​​e mesme ofrojnë edhe orë shtesë me zgjedhje për mediat.

Murumaa-Mengel tregon se orët e edukimit mediatik në shkolla nuk fokusohen në politikë. Është një rregull i pashprehur, por në çdo rast, fëmijëve “nuk u intereson politika”.

Ajo thekson se mësimet duhet të jenë relevante për atë që u intereson fëmijëve.

Pastaj, në nivel universitar, Murumaa-Mengel ka krijuar një kurs mw zgjedhje të edukimit mediatik në Universitetin e Tartu-së që edukon studentët dhe i pajis ata me aftësitë e nevojshme.

Qeveria e Estonisë po përpiqet gjithashtu të arrijë qytetarët e moshuar përmes reklamave, njoftimeve për shërbimin publik, bisedimeve të hapura dhe një jave vjetore të edukimit mediatik për të rritur ndërgjegjësimin në të gjithë vendin.

Videot e animuara rreth sigurisë në internet japin këshilla të rëndësishme për analizimin e keqinformimeve.

Ama, beteja e Estonisë kundër keqinformimeve vjen mes një numri në rritje të fushatave më të gjera për të njohur dhe trajtuar këtë çështje.

Në vitin 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vuri në pah konceptin e imunizimit të njerëzve kundër keqinformimit gjatë pandemisë COVID-19.

Ajo i inkurajoi njerëzit që të verifikojnë burimet përpara se të ndajnë përmbajtjen në internet.

Zyrtarët në OBSH kanë punuar gjithashtu me 50 kompani digjitale dhe platforma të mediave sociale, duke përfshirë Facebook, TikTok, Google, Viber, WhatsApp dhe YouTube për të siguruar që informacioni shëndetësor i OBSH-së shfaqet i pari gjatë kërkimeve.

Ka edhe iniciativa të tjera globale, të tilla si Java e Edukimit Mediatik e Komisionit Evropian dhe Java Kombëtare e Literaturës për Lajmet në SHBA, e cila u zhvillua në fillim të këtij muaji.

Në Estoni, sipas Kumpas, ka shenja se i gjithë edukimi ka efekt.

Vendi disponon disa nga aftësitë më të larta të edukimit mediatik në Evropë, sipas disa vlerësimeve dhe të rinjtë e saj duket se i konsumojnë lajmet ndryshe nga bashkëkohësit e tyre në disa vende të tjera.

Megjithatë, Kumpas i jep rëndësi rritjes së ndërgjegjësimit për problemet që mund të shkaktojë keqinformimi.

 

Marrë nga “BBC”. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore