Shqipëria

Escobar: Të vendosur të luftojmë korrupsionin, edhe me sanksione


“Ndihem i lumtur që u takova me opozitën, ku shprehën angazhimin për NATO-n dhe integrimin evropian, si dhe luftën kundër korrupsionit”.

Kështu u shpreh i dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në selinë blu.

Në vizitën e tij të parë në Shqipëri, e cila nisi me opozitën, ai theksoi se, “jam shumë i kënaqur që jemi pjesë e saj, përfshirë dhe pikën tonë të fortë kundër korrupsionit dhe sanksioneve”.

Për sa i përket kësaj të fundit, Escobar tha se do të ketë angazhim të vazhdueshëm për ta kthyer në realitet.

“Që ta luftojmë korrupsionin dhe ta kthejmë në realitet duhet të kemi bashkëpunimin e institucioneve shqiptare”, tha Escobar.

Në përfundim të fjalës, ai bëri me dije se mes tij dhe kryedemokratit do të zhvillohet një takim tjetër në Washington.

“Pres të zhvilloj të tjera bisedime pasdite dhe të vazhdoj raportin me Partinë Demokratike. Do të shoh zotin Basha në Washington sa më shpejt të ketë mundësi”.

Zyrtari i Lartë ishte i shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim.

Kjo vizitë ka ardhur vetëm dy ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-lideri i PD-së, Sali Berisha, i cili është shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Presidenti demokrat i SHBA-ve, Joe Biden, ka theksuar vazhdimisht se nga sanksionet e tyre synohen personat e përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, në korrupsion dhe që minojnë demokracinë.

Këto dy akuza të fundit ishin edhe shkaku pse ish-kryeministri Berisha u shpall persona non grata.

Vizita e Escobar-it në Shqipëri u konfirmua më 7 dhjetor nga Ambasada Amerikane në Shqipëri, ku dhe zbardhi agjendën e tij.

Escobar, erdhi në Shqipëri në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Agjenda e Escobar-it në Tiranë

Pas vizitës me Bashën, ai do të vijojë takimin me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Gjatë pasdites, Escobar do të takojë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërsa, Presidenca dhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nuk përfshihen në agjendën e zyrtarit amerikan.

Në njoftimin e publikuar nga Ambasada shkruhej se Escobar do të takojë edhe udhëheqës të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore