Shqipëria

Zbardhet agjenda e vizitës së Escobar-it në Tiranë, fokus lufta ndaj korrupsionit


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Shqipëri, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, ka zbardhur agjendën e të dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të vizitojë Tiranën më 9 dhjetor.

Si fillim, ai do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, më pas me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, si dhe me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në njoftim shkruhet se, Escobar do të takojë edhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në Bashkimin Evropian, si bashkëpunimin më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.

“Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, bën me dije Ambasada.

Vizita e Escobar-it vjen dy ditë para mbledhjes së Kuvendit të thirrur nga ish-lideri i PD-së, Sali Berisha, i cili është shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Më herët, Biden ka bërë me dije se nga sanksionet e reja do të synohen personat e përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, korrupsion dhe që minojnë demokracinë.

Këto dy akuzat të fundit ishin edhe shkaku pse ish-kryeministri Berisha u shpall persona non grata.

Escobar ka qenë një mbështetës i hapjes së bisedimeve të Bashkimit Evropian me Shqipërinë.

“Mesazhi më i fuqishëm që mund të japë tani BE-ja është që të caktojë nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, para fundit të këtij viti”, tha ai në një takim me nënkomitetin e Dhomës së Përfaqësuesve Evropianë për Energjinë dhe Ambientin.

Ai e ka bërë të qartë këtë qëndrim edhe më parë. Ndërsa, të njëjtat ujëra, është edhe Komisioni Evropian, që ka shtyrë më tej vendet anëtare, për të marrë vendimin e shumëpritur.

Sipas Escobar-it, vonesa të mundshme, mund të nxisin edhe dyshime mbi përse-në e këtij veprimi. Ato madje, mund të arrijnë deri aty sa të shkatërrojnë shpresat e një brezi të ri për të ardhmen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore