Lajme

Dy ish zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës dënohen me pesë vjet burgim


Foto nga gjykimi: Betimi për Drejtësi.

Dy ish zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, të akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare” janë dënuar me pesë vite burgim efektiv.

Këtë vendim e ka shpallur Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Bekteshi u dënua me 2 vite burgim, ndërsa i akuzuari Tahiri, është dënuar me 3 vite burgim.

Dënimin me burgim, dy të akuzuarit do ta mbajnë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjithashtu, të njëjtëve iu është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike në kohëzgjatje prej dy vitesh, raporton ‘Betimi për Drejtësi’. 

Sipas aktgjykimit, dy të akuzuarit detyrohen që Ministrisë së Infrastrukturës t’ia kompensojnë dëmin në vlerë 29 mijë e 828 euro.

Bekteshi dhe Tahiri obligohen  që secili veç e veç të kompensojnë shumën nga 50 euro për fondin e viktimave të krimit dhe nga 50 euro për paushallin gjyqësor.

Ndërsa, kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Më 6 gusht 2021, nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishin dënuar me nga 3 vite burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore