Lajme

Dodik dhe Çoviç, dy liderët etno-nacionalistë në BeH thellojnë bashkëpunimin mes tyre


Milorad Dodik dhe Dragan Çoviç

Kryetari i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD), Milorad Dodik dhe kryetari i Unionit Demokratik të Kroatëve në Bosnje dhe Hercegovinë (HDZ), Dragan Çoviç, konfirmuan se dy partitë do të jenë partnerë në të gjitha nivelet e pushtetit dhe se s’do ta pengojnë njëri-tjetrin.

Dodik njoftoi se SNSD-ja do të mbështesë HDZ-në në kandidaturën për kryetar të Këshillit të Ministrave, një pozicion që rregullohet sipas parimit të rotacionit në nivel kombëtar midis kroatëve, serbëve dhe boshnjakëve.

“SNSD-ja nuk do të vijë në pushtet pa HDZ-në dhe HDZ-ja nuk do të vijë pa ne”, deklaroi Dodik, transmeton mediumi kroat ‘Index.hr’.

Ai shtoi se nuk kanë qëndrime identike me HDZ-në për disa tema si anëtarësimi në aleancën e NATO-s, por nënvizoi se të dyja palët do të arrijnë marrëveshje për temat për të cilat ka një gjuhë të përbashkët.

“Ne kemi një marrëveshje në parim me HDZ-në që njëra palë të mos ndërhyjë me tjetrën. Kjo është më e mira për BeH-në”, theksoi Presidenti i Republika Srpska në BeH.

Nga ana tjetër, Çoviç shpjegoi se të dy partitë do të kenë shumicën në klubet e kroatëve dhe serbëve të Dhomës së Popullit të konceptuar në nivel kombëtar, gjë që i bën ato të domosdoshme për funksionimin e Këshillit Shtetëror të Ministrave.

“Partneriteti ynë nuk ka alternativë dhe këtë e tregon rezultati zgjedhor”, ka thënë Çoviç në një konferencë për media në Mostar pas takimit.

Përbërja e re e Këshillit Shtetëror të Ministrave të BeH-së zgjidhet nga shumica prej 42 përfaqësuesish nga Dhoma e Përfaqësuesve të Parlamentit të BeH-së apo Dhoma e Ulët.

Teorikisht është e mundur të zgjidhet Këshilli i Ministrave të BeH-së pa partitë kryesore kroate, boshnjake dhe serbe, por ky institucion do të ishte i padobishëm sepse të gjitha vendimet do të merreshin në Dhomën e Lartë të Popullit të Parlamentit të BeH-së.

Kujtojmë se Dodik punoi hapur për të bllokuar institucionet shtetërore, minoi Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, dhe në të njëjtën kohë është pro agresionit rus kundër Ukrainës, kurse Çoviç në raportet e zyrtarëve ndërkombëtarë, përshkruhet si një politikan që mbron krijimin e një entiteti të tretë në BeH.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore