Lajme

“Do të jetë një lehtësim i madh, kryeministrin e ri do ta pres me tortë”, thotë Abazoviç për përfundimin e mandatit


Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka thënë se nuk do ta ketë të vështirë faktin se së shpejti nuk do të jetë më në krye të ekzekutivit malazez, madje pohon se pasardhësin e tij do ta pres me tortë.

“Jo, absolutisht. Më besoni, mendoj se do të ndjej një lehtësim të madh, me faktin se këtu filluan të formojnë Qeverinë shpejt, shpejt, shpejt dhe menduam se do të ishte deri në gusht. Më besoni, ka kaq shumë obligime që qeveria do të duhet të punojë gjatë gjithë gushtit, dhe nëse ndodh ky ndryshim, ne do ta presim kryeministrin e ri me një tortë siç i ka hije dhe kulturalisht do t’i dorëzojmë detyrat”, ka theksuar Abazoviç për median malazeze “Adria TV”.

Ndryshe, Kuvendi i Malit të Zi është konstituuar të enjten. Ndërsa, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka njoftuar se të hënën në Cetinje do të fillojnë konsultimet për formimin e qeverisë së re malazeze me të gjitha partitë politike që kanë mandate deputetësh në parlamentin malazez.

Gjithashtu, këtë javë Lëvizja Evropa Tani, përkatësisht lideri i saj, Milojko Spajiç, si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit në Mal të Zi, ka filluar konsultimet me partitë politike.

Mirëpo, deri më tani nuk është arritur ende një koalicion, çka do të ja mundësonte Spajiç-it të merrte detyrën e kryeministrit të Mal të Zi.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, Lëvizja Evropa Tani – e udhëhequr nga eksperti financiar, Milojko Spajiç – ka arritur që të marrë numrin më të madh të deputetëve, 23 nga 81 gjithsejtë që i ka parlamenti malazez.

Mirëpo, këto mandate janë të pamjaftueshme për ta formuar qeverinë e vetme, pasi që duhet shumica e thjeshtë, më së paku 41 deputetë.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste e Demokratëve – ish partia e Milo Gjukanoviç-it – është renditur forca e dytë, me 21 mandate, e pasur nga koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” me 15.

Ndërsa, koalicioni në mes të lëvizjes qytetare Ura, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç, dhe Demokratët e Aleksa Bekçiç-it, kanë arritur kuotën e 12 mandateve.

Edhe pakicat kombëtare në Mal të Zi kanë marrë një numër të konsiderueshëm mandatesh. Boshnjakët në përbërjen e re të parlamentit malazez do të përfaqësohen me 6 deputetë, ndërsa shqiptarët me 3, 2 prej tyre i ka fituar Forumi Shqiptar – i kryesuar nga kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj – kurse një mandat e kanë marrë edhe kroatët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore