Shqipëria

Djali i familjes Haliti ngrit dyshimet mbi vdekjen e prindërve dhe gjyshes në Shqipëri


“Shqetësuese dhe e papërballueshme për familjen tonë, është neglizhenca dhe mos tretmani i duhur në Shërbimin Spitalor në Manëz”, është shprehur Haki Haliti, djali i viktimave Ferzinaze dhe Afrim Haliti, në një konferencë për media.

Tre anëtarët e familjes Haliti nga Gjilani vdiqën në Shqipëri, me dyshimin se u helmuan nga kërpudhat.

Sipas tij, nuk është veprim i duhur që tre pacientë të kthehen në shtëpi në atë gjendje, pa ekzaminime mjekësore e analiza.

“Kam kontaktuar përmes telefonit me të ndjerin, Afrimin, ai ka thënë se kanë qenë në spital, kanë marrë vetëm një infuzion dhe i kanë liruar për në shtëpi. Kanë shkuar në shtëpi me vetëm disa barna”.

Tutje Haliti ka hedhur dyshimet e tij në lidhje me vdekjen e tre familjarëve të tij që në këtë rast janë babai, nëna dhe gjyshja e tij, të cilët bazuar në raportet e dhëna, vdiqën si pasojë e infektimi nga kërpudhat.

Sipas të birit të çiftit Haliti, vdekja e familjarëve të tij është e dyshimtë edhe për faktin se ka ngordhur edhe qeni i familjes dhe se sipas tij “qeni dihet se nuk konsumon kërpudha”.

“Problemi që më shqetëson më shumë është se ne e kemi pasur edhe qenin. Familjarët e dinë që qeni nuk konsumon ushqim të njeriut, ajo më lë të mendoj që është shumë e dyshimtë”, tha tutje ai.

Sipas tij, nuk ka qenë kjo hera e parë që prindërit e tij kanë dalë në mal, “nëna i ka njohur shumë mirë kërpudhat sepse ajo është rritur në fshat. Ngordhja e qenit shkon përtej dyshimit”.

Ai po ashtu, e ka treguar rrjedhën e ngjarjes duke treguar se prindërit i kishte edhe shtetas të Shqipërisë, të cilët ishin të pajisur me dokumente dhe se nuk kanë shkuar për pushime ashtu siç është raportuar nga mediat.

“Familja ka shkuar në shtëpi të vet sepse babai e nëna janë shtetas të Shqipërisë dhe nuk kanë shkuar për ahengje. Ajo është shtëpia jonë, është shteti jonë. Ngjarja ka ndodhur nga infektimi i ushqimeve”, tregoi ai.

Haliti ka dhënë sqarime edhe për procedurat e hetimit të rastit.

“Procedura për obduksion ka përfunduar, ndjekja ligjore veç se ka filluar, ne presim nga policia dhe mjekësia ligjore të thonë fjalën e tyre”, ështe deklaruar ai.

Kur pyetet se a do të bëhet ndonjë ekspertizë edhe në institutin mjekësor në Prishtinë, ai ka thënë se sa i përket kësaj pjese nuk ka dyshim në shtetin e Shqipërisë.

“Nuk kemi dyshim në shtetin tonë, nuk ndalemi në këtë drejtim, do e presim verdiktin e fundit të raportit të mjekësisë ligjore, të tregojnë se kush është shkaktari”.

Në anën tjetër, detaje të reja kanë dalë në dritë mbi vdekjen e Elfete, Afrim dhe Ferzinaze Halitit, familjes Gjilanase, të cilët humbën jetën tragjikisht pas helmimit nga kërpudhat.

Ngjarja ka nisur që të mërkurën e 5 majit, kur ata u paraqitën për herë të parë me simptoma të rënda helmimi, pas konsumimit të kërpudhave.

Ndërkohë, varrimi i viktimave do të bëhet në orën 16:30 në varrezat e qytetit të Gjilanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore