Lajme

Delegatët e Iranit dhe të SHBA-ve mbërrijnë në Katar për bisedimet bërthamore


Kryenegociatori bërthamor i Iranit, Ali Bagheri Kani

Irani dhe Shtetet e Bashkuara të martën e 28 qershorit shfaqën gatishmërinë për të filluar bisedimet indirekte në Katar, me qëllim gjetjen e një mënyre për të shpëtuar marrëveshjen e prishur bërthamore të Teheranit me fuqitë botërore.

Gazeta shtetërore “Tehran Times”, përcjell Albanian Post, postoi një fotografi të negociatorit kryesor bërthamor të Iranit, Ali Bagheri Kani, në një holl hoteli me ambasadorin iranian në Katar, Hamidreza Dehghani.

Sipas gazetës, Bagheri Kani gjendej në Doha, kryeqyteti i Katarit, për rifillimin e bisedimeve.

Rob Malley, përfaqësuesi special i SHBA-ve për Iranin, mbërriti në Katar mbrëmjen e së hënës përpara bisedimeve.

Ambasada e SHBA-ve në Katar njoftoi se Malley u takua me ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, për të diskutuar “përpjekjet e përbashkëta diplomatike për të adresuar çështjet me Iranin”, por nuk pranoi të jepte ndonjë detaj tjetër rreth udhëtimit të tij.

Irani dhe fuqitë botërore ranë dakord në vitin 2015 për marrëveshjen bërthamore, e cila pa Teheranin të kufizonte në mënyrë drastike pasurimin e uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Në vitin 2018, presidenti i atëhershëm i SHBA-ve Donald Trump, e tërhoqi në mënyrë të njëanshme Amerikën nga marrëveshja – tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme u rritën, duke shkaktuar një sërë sulmesh dhe incidentesh.

Bisedimet në Vjenë për ringjalljen e marrëveshjes kanë qenë në një “pauzë” që nga marsi.

Që nga rënia e marrëveshjes, Irani ka përdorur centrifuga të avancuara dhe stoqe në rritje të shpejtë të uraniumit të pasuruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore