Lajme

Del kundër Kurtit edhe ideologu i Vetëvendosjes: Edhe po të isha homoseksual do votoja kundër


Albin Kurti

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, një numër i konsiderueshëm i tyre, nuk e kanë votuar Projektkodin Civil, në të cilin përfshihej edhe neni për rregullimin e lidhjeve martesore të personave të gjinisë/seksit të njëjtë, përkundër se kryeministri Albin Kurti, paraprakisht ua kërkoi ta bënin.

Por, ndryshe nga Kurti, e njëjtë si disa nga deputetët e VV-së, mendon edhe një nga ideologët e Vetëvendosjes, Hysamedin Feraj.

Vetë Kurti e prezantoi të drejtën e gjinisë/seksit të njëjtë për t’u martuar si një e drejtë që i takon secilit, sepse “nuk ka kuptim që të drejtat t’i takojnë vetëm atij që është sikur unë”, por Feraj e thotë krejt të kundërtën.

Madje, siç shkruan në llogarinë e tij në Facebook, edhe “po të isha homoseksual do të kisha votuar kundër martesës brenda së njëjtës gjinie”, sepse, sipas Ferajt, “martesa është institucion heteroseksualësh”.

Feraj institucionin e martesës e sheh të pandryshueshëm, stoik. Prandaj, kërkesa e partnerëve homoseksualë për t’u martuar është “imitim i institucionit i të ndryshmit nga unë”.

Për Ferajn, të kërkosh të martohesh si homoseksual, nuk është kërkesë për një të drejtë të munguar, por dëshirë për të imituar tjetrin, pra heteroseksualin.

Po të përcillet logjika e Ferajt, grupet e caktuara që nuk kanë pasur të drejtë vote një herë e një kohë, për shembull gratë, nuk do të duhej të kërkonin kurrë të drejtën e votës, sepse do të nënkuptonte imitim të burrave.

Hysamedin Feraj, ideolog

Por, shpjegimi i Ferajt shkon edhe më “thellë” edhe më “larg”.

Ai, duke folur në emër të komunitetit LGBTI, shkruan se “çka kërkojnë homoseksualët është pranimi i tyre si të ndryshëm”.

“Prandaj, vota kundër martesës brenda së njëjtës gjini është votë logjikisht koherente me të qenit mirëfilli homoseksual”.

Ndryshe nga Feraj që thotë se homoseksualët do të duhej të votonin kundër mundësisë së të martuarit me atë që duan, deputetët e Vetëvendosjes që votuan kundër, e bënë sepse thoshin se homoseksualët nuk duhet ta duan atë që duan.

Për shembull, deputetja Labinotë Demi-Murtezi, deklaroi se dashuria e tyre është deformim moral dhe se me votë kundër bën aktin heroik të shpëtimit të “moralit publik”.

“Ka të dhëna të pakontestueshme shkencore se martesat mes gjinive të njëjta janë të dëmshme për shëndetin e njeriut”, deklaroi, veç tjerash, ajo.

Deputetja, dashurinë mes dy personave të gjinisë së njëjtë, e ka deformuar në veç “plotësim i nevojave seksuale në forma të shthurura”.

Me argumente si këto Projektkodi Civil dështoi të miratohej. Në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë, por 16 prej tyre nuk morën pjesë fare në votim.

Nga 61 deputetët, të cilët votuan, vetëm 28 prej tyre kanë votuar pro, ndërsa kundër 29. Katër deputetë abstenuan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore