Lajme

Dëbime të tjera diplomatike, Italia dhe Danimarka largojnë rusët


Italia do të dëbojë 30 diplomatë rusë ndërsa Danimarka, 15 të tjerë.

Këto janë vendimet e fundit të dy shteteve evropiane, të cilat ndjekin serinë e dëbimeve diplomatike ndaj zyrtarëve rusë.

Nga ana e palës italiane, ka qenë ministri i Jashtëm, Luigi di Maio, ai i cili e ka dhënë lajmin, gjatë një vizite në Berlin, ku i prekur nga sanksioni është edhe vetë ambasadori rus në Itali, Sergey Razov.

Vendimi italian përfshin edhe emërtimin e të gjithë diplomatëve nën termin “non grata”, duke i përcaktuar ata si të padëshirueshëm për të hyrë në shtetin italian.

Nga ana tjetër, Danimarka pretendon se 15 zyrtarët, të cilët i ka dëbuar, kanë qenë spiunë rusë të infiltruar.

Lajmin e ka bërë me dije ministri i Jashtëm, Jeppe Kofod në Twitter.

“Kemi zbuluar se 15 diplomatët rusë që kemi dëbuar, janë agjentë rusë, të cilët po zhvillonin aksionin e tyre të spiunazhit në vendin tonë”, shkroi ai.

Dy shtete të mëdha Evropiane si Franca dhe Gjermania, dëbuan dje së bashku 75 diplomatë rusë nga vendet e tyre, në një lëvizje të bashkërenduar sanksionuese ndaj Moskës.

Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe shtete të tjera më parë si Belgjika, Holanda, Polonia apo Britania e Madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore