Lajme

Debati në Kuvend/Ministri Murati: S’ka rimëkëmbje ekonomike pa u larguar pandemia


Salla e Kuvendit të Kosovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar nga Qeveria që të fillojë me zbatimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ai në seancën plenare ku po diskutohet për ekonominë, po ashtu ka kërkuar nga Qeveria që vaksinimi i popullatës të jetë prioritet pasi sipas tij, kjo përveç shëndetit do të ndikonte edhe në rimëkëmbjen ekonomike.

“Vaksinimi i popullatës është prioritet i lartë jo vetëm për shëndetin e qytetarëve por edhe për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, pra pa vaksinimin të qytetarëve nuk do të ketë rezultate të rimëkëmbjen së shpejtë ekonomike”, ka thënë Hamza.

Shqetësues për të është edhe fakti që sipas tij, që as në programin qeveritar të paraqitur “nuk parashihet masë konkrete me burime të qëndrueshme të financimit se si do të bëhet rimëkëmbja e vendit pas pandemisë”.

Sipas tij, se Qeveria ka marrë më së paku seriozisht çështjen e ekonomisë dëshmon më së miri aprovimi i vetëm një pakoje emergjente.

“PDK-ja kërkon që çështjen e ekonomisë ta trajtoni me seriozitet më të madh pas vaksinimit. Gjendja është e rëndë, sikurse t’i merrnit të gjitha masat fiskale dhe sociale në kohë nuk do ta kishim këtë gjendje”, shtoi Hamza.

Në anën tjetër, Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami,  për gjendjen e ekonomisë në vend si pasojë e pandemisë, potencoi se rimëkëmbja ekonomike në Kosovë është duke ndodhur falë punës që është bërë gjatë kohës sa ka qeverisur LDK-ja.

“Në Kosovë po ndodhë rimëkëmbja ekonomike shumë më shpejtë se që ka paramenduar Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe sa e kemi parashikuar ne është për shkak të masave që ne i kemi marrë e mbi të gjitha për shkak se ne nuk e kemi mbyllur asnjë biznes, dhe po në qeverinë Kurti I ka pasur një vendim ku janë ndaluar të gjitha investimet e reja kapitale dhe derisa keni ardhur ne asnjë nuk ka filluar”, tha Bajrami.

Deputetja Bajrami theksoi se e kanë paguar edhe me votë mos mbylljen si pasojë e pandemisë mirëpo ajo thotë se i kanë ditur deficitetet e buxhetit të Kosovës dhe kjo ka qenë zgjidhja që të mos mbyllen bizneset.

“Po ne paguam dhe na kushtoi shtrenjtë, edhe në vota edhe politikisht por ne ishim ata që e dinim shumë mirë deficitet e buxhetit të Kosovës dhe bëmë çdo gjë në mënyrë që të mos ketë mbyllje totale dhe sot të mos kemi pasoja”, është shprehur Bajrami.

Duke iu drejtuar pozitës, Bajrami ka pyetur se si mund të krenohen me progresin ekonomik, duke qenë se Qeveria Kurti ka filluar mandatin me 22 mars.

“Nëse flisni për shifrat e eksportit, nëse thoni që gjatë pesë mujorit të parë kompanitë kosovare paskan eksportuar 260 milionë euro, unë ua rikujtoj se kush janë eksportuesit, janë pikërisht ata të cilët i gjykonit, i quanit oligarkë dhe biznese të korruptuara të lidhura me qeverinë të cilëve ne iu ndihmuam, duke mos i mbyllur asnjëherë”.

Kurse, Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se është “thelbësore që Qeveria Kurti të bëjë plane, të hartojë strategji ekonomike dhe të fillojë me veprime konkrete e të menjëhershme që efektet të ndjehen pa humbur në kohë”.

Sipas tij, të gjitha rëniet si pasojë e pandemisë, pritet të sjellin pasojat negative në sektorin e shërbimeve publike në nivelin lokal në Kosovë.

“Kjo nuk duhet të lejohet nga Qeveria Kurti se mbi të gjitha keni ardhur në pushtet duke thirrur me emër të kthimit të shpresës, të jetesës cilësore dhe të një udhëheqje që se kanë parë qytetarët që 20 vjet. Prandaj është koha dhe momenti juaj, realizoni atë që premtuat”.

Ndërkohë, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se pa përfundim të pandemisë apo pa zvogëlim të numrave nuk mund të ketë rimëkëmbje ekonomike.

“Përderisa numrat e pandemisë janë jashtë kontrollit nuk mund të flasim për rimëkëmbje ekonomike apo për shtim të aktivitetit ekonomik apo për shtim të numrit të punësuarve sepse është paradoks t’iu thuhet qytetarëve mbylluni brenda izolohuni dhe në të njëjtën kohë të presim të rritet aktiviteti ekonomik”, ka thënë ai.

Sipas tij, arsyeja e rënies ekonomike “ka të bëjë me pasigurinë dhe çfarëdo likuiditeti shtesë nuk ka mundur ta rrisë as konsumin e as aktivitetin ekonomik sepse qytetarët kanë pasur pasiguri”.

“Jemi në përgatitje dhe shumë shpejt do ta kemi edhe rishikimin. Ka qenë e pamundur të bëhet edhe pakoja e rimëkëmbjes ekonomike pa e ditur hapësirën e re fiskale. Shumë shpejtë bashkë më rishikimin e buxhetit paralelisht do t’i kemi të dyja dhe mund t’i diskutojmë në Kuvend”, shtoi Murati.

Në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar debati për situatën ekonomike në Kosovë si pasojë e pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore