Lajme

Debat parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, Kurti përballet me deputetët


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Me fillim nga ora 12:00, këtë të hënë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të debatojnë për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, thuhet në njoftimin për medie të këtij institucioni.

Në seancën plenare të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, kryeministri Albin Kurti do të përballet me pyetjet e deputetëve në të gjitha temat e zhvillimet të cilat ndërlidhen me dialogun.

Në kërkesën e nënshkruar nga nëntë deputetë të PDK-së për debat parlamentar, thuhet se dialogu në dy vitet e fundit ka hyrë në një rrugë që nuk po shkon drejt një marrëveshje finale.

“Rrjedhimisht, mbetet shqetësuese edhe qasja e Qeverise së Republikës së Kosovës në raport me disa çështje që lidhen me këtë proces, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në raport me transparencën dhe llogaridhënien që duhet ta karakterizojë të njëjtin”, thuhet në mocionin e PDK-së.

“Qëllimet e shtetit tonë në dialog me Serbinë janë të njohura. Angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve është përgjegjësi nga e cila nuk mund të shmanget askush. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie nuk mund të bëhet në mënyrë të fshehtë, as nëpër restorante, e as me postime në twitter, por përmes transparencës së plotë përballë qytetarëve e përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës”, thuhet më tej në mocionin e dhirrur nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në seancën e fundit të kuvendit, kryeministri Kurti tha se “është rrezik për Kosovën”, nëse ai thërret seancë për të diskutuar rreth dialogut, duke kërkuar nga opozita që ta bëj një gjë të tillë.

Kurti, në seancën e Kuvendit të datës 2 shkurt, kishte treguar gjashtë kushtet në mënyrë që të pranojë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive e të zbatohet pas arritjes së marrëveshjes finale.

Dialogu Kosovë-Serbi ka nisur më 2011 për çështje teknike e më pas ka kaluar në nivele politike.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia po diskutojnë për një plan ndërkombëtar i quajtur “Plani franko-gjerman”, i cili parasheh edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara më herët si dhe nuk parasheh njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.

Ndërkombëtarët, përshirë zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për të shkuar pastaj te “Plani franko-gjerman”.

Kryeministri Albin Kurti ka pranuar të themelojë një Asociacion por jo para se Kosova dhe Serbia të arrijnë njohje reciproke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore