Lajme

Cili është problemi në Transnistri, të cilit Kurti i frikësohet se mund të përsëritet në Veri?


Albin Kurti

Serbia, në sytë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dëshiron të jetë Rusia e vogël në Ballkanin Perëndimor.

Argumentin e tij i pari i Qeverisë së Kosovës e mbështet në atë se Beogradi zyrtar e sheh Republikën e Srpska në Bosnje e Hercegovinë sikur Rusia, Bjellorusinë, e Malin e Zi sikur Ukrainën.

Por, problemi më i madh, sipas kryeqeveritarit qëndron në atë se, Serbia dëshiron transformimin e Veriut të Kosovës në Transnistri.

“Kjo është ajo që ata duan: një pjesë të territorit në Kosovë, por që ata gjithsesi e kontrollojnë për të minuar vendin në tërësi, por edhe Evropën”, tha Kurti në një intervistë për gazetën zvicerane Tages-Anzeiger.

Çështja Transnistrisë dhe frika e Kurtit 

Konflikti i Transnistrisë është një konflikt i ngrirë zanafilla e të cilit daton nga vitet e 90’ta në mes të Moldavisë dhe Zonës së Transnistrisë, e cila më 2 shtator të vitit 1990 përmes një deklarate formale ka shpallur pavarësinë e saj nga Moldavia (atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik).

Ka pasur disa përpjekje për të zgjidhur konfliktin, por asnjë nga këto përpjekje nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Ilustrim

Transnistria njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Moldavisë.

Moldavia humbi de facto kontrollin e Transnistrisë në vitin 1992, në vazhdën e Luftës së Transnistrisë që shpërtheu më 2 nëntor të vitit 1990 në mes të Moldavisë dhe Gardës Republikane Transnistriane të mbështetur nga Rusia.

Moldavia konsideron qeverinë aktuale të Transnistrisë si të paligjshme dhe jo si përfaqësues të ligjshëm të popullsisë së rajonit.

Pala moldave këmbëngul se Transnistria nuk mund të ekzistojë si një ent politik i pavarur dhe duhet të riintegrohet në Moldavi.

Sipas burimeve moldave, klima politike në Transnistria nuk lejon shprehjen e lirë të vullnetit të popullit të rajonit dhe mbështetësit e riintegrimit të Transnistrisë në Moldavi i nënshtrohen ngacmimeve, arrestimeve arbitrare dhe llojeve të tjera të frikësimit nga autoritetet separatiste.

Për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Transnistrisë, Moldavia beson se të gjithë banorët e Transnistrisë janë ligjërisht qytetarë të Moldavisë.

Megjithatë, vlerësohet se 60 mijë deri në 80 mijë banorë të Transnistria kanë fituar nënshtetësinë ruse dhe rreth 20,000 transnistrianë kanë marrë nënshtetësinë ukrainase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore