Shqipëria

Celibashi: Partitë politike dhe Kuvendi duhet të vendosin tani për votën e emigrantëve


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në një bashkëbisedim me gazetarët ka kërkuar me ngulm nga Kuvendi dhe partitë politike që  të vendosin në lidhje me votën e diasporës.

“Kuvendi dhe partitë politike duhet të vendosin tani në lidhje me votën e diasporës. Jemi në dijeni të faktit të Gjykata Kushtetuese ka prodhuar një realitet të tillë që udhëzon Kuvendin në lidhje me këtë çështje. Nëse ky urdhërim i Gjykatës Kushtetuese nuk do të përmbushet, nuk hezitoj ta them që për zgjedhjet 2025 votuesit e diasporës nuk do të mund të votojnë atje ku kanë vendbanimin”, tha Celibashi.

Ku i fundit theksoi se duhet të vendoset gjithashtu edhe për të ardhmen e votimit elektronik.

“Partitë politike dhe aktorë të tjerë duhet të vendosin tani në lidhje me të ardhmen e votimit elektronik. Nëse kanë interes ta shtrinë do të duhet të vendosin tani dhe do të duhet që fondet të vihen në dispozicion të KQZ-së sa më shpejt të jetë e mundur. Ka qenë një sfilitje nga çdo pikëpamje përgatitja e votimit elektronik për zgjedhjet e fundit lokale”.

Mbi temën e votës së diasporës, angazhimi ka qenë i diskutueshëm gjithnjë, me palët politike shpesh të painteresuara për ta mundësuar votën e emigrantëve shqiptarë jashtë shtetit dhe me mungesa themelore reformash e ligjesh, të cilat i japin hapësirë shqiptarëve jashtë kufijve të shprehin vullnetin e tyre politik.

Lidhur me këtë, ka pasur edhe një takim të gjerë me përfaqësues politikë, shoqërinë civile, si edhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të parë hapësirat e mundshme të veprimit.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka vlerësuar gjithashtu si cenim të të drejtës themelore për të votuar mungesën e hapësirës së posaçme të diasporës, bën që të kërkohet një ritëm tjetër, për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.

Kështu, në një takim të zhvilluar nga Instituti i Studimeve Politike, do të ishte fillimisht Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ai i cili do të shprehte parimisht mangësinë e hapësirës ligjore, e cila e mban peng votën e diasporës.

“Nëse nuk do të plotësohet boshllëku ligjor i konstatuar nga Gjykata Kushtetuese, në zgjedhjet e vitit 2025 nuk do të ketë votim nga jashtë”, tha qartësisht ai.

Kështu, duke qenë edhe një kambanë alarmi për një situatë të ngjashme që mund të procesohet së shpejti, e ngjashme me zgjedhjet e përgjithshme 2021.

Ajo çfarë mungon realisht për Celibashin, është vullneti politik për t’i bërë gjërat.

Po ashtu, ai tregoi edhe mbi vonesën me të cilën KQZ mund të përballet, ku nëse ligjet implementohen gjashtë muaj përpara zgjedhjeve (fjala bie), nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për KQZ-në që të vihen ato në zbatim.

“KQZ nuk mund të ndërmarrë hapa për anën rregullatore të procesit pa u shprehur Kuvendi për vendimin e GJK-së, këmbënguli kreu i këtij institucioni”, shtoi Celibashi.

Teksa, mbi afatin kohor, ai e bëri të qartë se kur gjithçka duhet zbatuar, me periudhë të përcaktuar: janari 2024.

Praktikisht, kjo do të thotë se Kuvendi parimisht ka tre muaj kohë, për të mundësuar ose jo votën e emigrantëve.

Por një ngërç thelbësor përmbahet edhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili është krejtësisht afunksional për kohën që flasim.

Këtë gjë e pranuan edhe deputetët e pranishëm në takim.

Situata e brendshme e Partisë Demokratike, është ndër të tjera një tjetër minus që krijohet në gjithë këtë hallkë procedurale.

Sipas deputetet demokrate, Jorida Tabaku, është e pafalshme nga ana e opozitës, që nuk ka këmbëngulur për ta çuar gjithë procesin para.

“Mazhorancës mund të mos i interesojë vota e tyre, pasi nëse këta shqiptarë kanë ikur ata kanë ikur dhe për shkak të keqqeverisjes”, kujtoi ai, duke përmendur edhe uljen drastike të zgjedhësve që votojnë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, deputeti socialist Lavdrim Krashi e kundërshtoi këtë qasje, duke thënë se ka nga ata në radhët e pozitës (si ai vetë), të cilët luftojnë që e drejta e votës, të bëhej realitet.

Ndërsa, për deputetin demokrat të grupacionit Berisha, Oerd Bylykbashi, koha është tani, për të vepruar sa më shpejt, duke e emërtuar një detyrë të Kuvendit bërjen faktike të reformës zgjedhore.

Do të arrihet gjithsesi në kaq pak kohë të ndodhë e gjitha?

Pyetja mbetet opsionalisht e hapur…dhe me një frikë të madhe dështimi kapilar rishtazi!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore