Lajme

Bugajski: Dialogu duhet të ndërpritet, Beogradi duke sulmuar Veriun po teston BE-në dhe NATO-n


Janusz Bugajski

Për anëtarin e lartë në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA), Janusz Bugajski, vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, i konvenon vetëm Serbisë, pasi kështu ajo e pengon Kosovën që të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare.

Qëndrimet diametralisht të kundërta të palëve në dialogun Kosovë-Serbi, sipas Bugajskit, janë dëshmi që këto bisedime janë të dështuara dhe nuk prodhojnë asgjë.

“Duhet të jetë e qartë për të gjithë negociatorët se nuk ka kompromis mes pavarësisë dhe mos pavarësisë së Kosovës. Pasi Serbia nuk do ta pranojë statusin përfundimtar të Kosovës si shtet i pavarur, dialogu duhet të ndërpritet. Ai thjesht përdoret si një re tymi nga Beogradi për të ngrirë përparimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe për të gjeneruar konflikte”, ka thënë ai, raporton Radio Televizioni Publik, RTK.

Njohës i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, më tej ka komentuar edhe sulmet e njëpasnjëshme ndaj Policisë së Kosovë në Veri, duke theksuar se këto sulme janë të nxitura nga Beogradi, në atë mënyrë për të destabilizuar Kosovën.

“Janë tre objektiva kryesore të sulmeve – të përpiqen ta mbajnë Kosovën të paqëndrueshme, t’i demonstrojnë BE-së se kufijtë e Kosovës mbeten të diskutueshëm dhe të testojnë reagimin e qeverisë në Prishtinë. Në një moment, qeveria e Vuçiqit mund të përpiqet të përshkallëzojë sulmet për të testuar më tej reagimin e BE-së dhe NATO-s. Një reagim i dobët ose ai që kërkon disa kompromise të reja diplomatike do të shihet si një fitore për Beogradin”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore