Lajme

Borrell: BE-ja nuk do t’i njohë pasaportat që Rusia do t’u shpërndajë ukrainasve


Bashkimi Evropian dënoi dekretin e presidentit rus, Vladimir Putin, për procedurën e thjeshtuar të dhënies së shtetësisë ruse për të gjithë ukrainasit.

BE-ja nuk do të njohë pasaportat ruse të lëshuara për qytetarët e Ukrainës. Kështu ka bërë të ditur shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell në Twitter.

“Legjislacioni i ri rus, i cili tani thjeshton procedurën për marrjen e nënshtetësisë së Federatës Ruse për të gjithë ukrainasit, është një tjetër shkelje e rëndë e sovranitetit të Ukrainës lidhur me luftën e paligjshme të Rusisë”, shkroi Borrell në Twitter.

Kreu i diplomacisë evropiane theksoi se BE-ja nuk i njeh këto pasaporta dhe kujtoi se Bashkimi Evropian dënon ashpër dekretet e Presidentit të Federatës Ruse të datës 25 dhe 30 maj.

Këto të fundit, janë për qytetarët e Ukrainës nga rajonet Kherson dhe Zaporozhye, të cilët po qëndrojnë përkohësisht nën pushtimin e trupave ruse.

BE-ja mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe i bën thirrje Federatës Ruse të tërheqë menjëherë trupat dhe pajisjet e saj nga territori i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Dekreti i Presidentit të Federatës Ruse i datës 11 korrik 2022 ndryshon dekretet e mëparshme për procedurën e thjeshtuar për dhënien e shtetësisë ruse për banorët e territoreve të okupuara përkohësisht të Ukrainës në rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhya dhe Kherson duke e shtrirë efektin e saj në pjesën tjetër të territorit ukrainas.

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës theksoi se ky vendim është një tjetër cenim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, i papajtueshëm me normat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore