Lajme

Bislimi i kërkon BE-së heqjen e sanksioneve: Kosova po zbaton marrëveshjet


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas vendimit të qeverisë për ta reduktuar për herë të dytë prezencën e njësive policore në dhe përreth objekteve komunale në Veri për 25 për qind, total 50 për qind, ka thënë se Prishtina po i respekton plotësisht zotimet e saj, dhe se të njëjtën gjë e pret edhe nga pala tjetër, Bashkimi Evropian – t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Përmes një serie cicërimesh në Twitter, Bislimi fillimisht tha se Kosova ka ndërmarrë hapin e radhës në zbatimin e marrëveshjes së 10 korrikut nga Bratislava, duke iu referuar takimit në mes tij dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kryeqytetin e Sllovakisë, ku Prishtina pranoi planin e de-eskalimit të situatës në Veri të propozuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare.

Bislimi potencon se reduktimi i njësive policore në dhe përreth objekteve komunale në Veri erdhi pas përfundimeve të vlerësimit të përbashkët të sigurisë.

“Marrëveshja e 10 korrikut është ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe ka për qëllim zbatimin e deklaratës së 27 vendeve të BE-së nga 3 qershori. Masat e BE-së kundër Republikës së Kosovës deklarohen të përkohshme, të kthyeshme dhe në varësi të një përkushtimi të besueshëm për de-eskalim”.

Ndërkaq, kryenegociatori i Kosovës pohoi se pas marrëveshjes së Bratislavës, “ka një proces të besueshëm drejt de-përshkallëzimit”, duke shtuar se “situata është e qetë tash e disa javë – këtë e konfirmuan dje bashkërisht Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i”.

“Kosova po i respekton plotësisht zotimet e saj nga marrëveshjet, besojmë se pala tjetër [BE] do të bëjë të njëjtën gjë”.

Policia e Kosovës nga e premtja do të fillojë zvogëlimin e njësive policore edhe për 25 për qind përreth objekteve komunale të komunave në Veri, kjo pas 25 për qindëshit të parë si pjesë e planit të de-eskalimit të situatës në Veri, që u dakordua me 10 korrik në Bratislavë të Sllovakisë, në takimin në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në komunikatën e policisë bëjnë me dije se kjo ka ardhur si rezultat i takimit punues në mes të Policisë së Kosovës, Misionit të Sundimit të Ligjit në Kosovë, EULEX-it dhe KFOR-it, në kuadër të zbatimit të dakordimit të arritur në Bratislavë, përkatësisht hapit të dytë të këtij dakordimi, “për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave Veriore”.

“Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind, në dhe përreth objekteve komunale në veri”.

Aty potencohet se ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, “do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës”.

Ndërsa, tërheqja e 25 për qindëshit të parë e zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga objektet komunale në Veri dhe zonat përreth tyre kishte përfunduar me 13 korrik.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Pas pranimit të vendimit të Qeverisë nga ana e Menaxhmentit të Policisë, i njëjti është dërguar në teren për ekzekutim”, tregonte ai për AP.

Çka pranoi Kosova në Bratislavë?

Më 10 korrik në takimin në mes të kryenegociatorit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, qeveria kishte pranuar planin e de-eskalimit të situatës në Veri, që ishte prezantuar që një kohë nga BE-ja dhe që mbështetej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Në marrëveshjen e publikuar me 11 korrik nga Qeveria e Kosovës, bëhej me dije se Prishtina ishte pajtuar për zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës policore për 25 për qind në afërsi të objekteve komunale në komunat Veriore, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Pos kësaj, aty ishte paraparë që të mbahen zgjedhje të reja në ato katër komuna, dhe kjo të bëhej menjëherë pas stinës së verës.

Pranimi i këtij plani nga Kosova – i prezantuar tash e një kohë nga BE-ja dhe i përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kishte ardhur vetëm pasi që ndaj Kosovës ishin vendosur masa ndëshkuese nga BE-ja dhe ShBA-ja, kjo si pasojë e refuzimit të qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri, pasi që të njëjtit e konsideronin Prishtinën përgjegjëse për të gjitha tensionet e krijuara atje.

Situata në Veri të Kosovës ishte tensionuar që nga 26 maji, kur qeveria mori vendim që policia t’i instalojë në zyrat e tyre kryetarët e komunave Veriore – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çka shkaktoi reagim të serbëve lokalë të cilët janë shumicë në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur me 14 qershor, xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare, të cilët u liruan pas presionit të madh të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore