Lajme

Biserko: Serbia është në presion të madh për t’i dhënë fund çështjes së Kosovës


Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se “është e vështirë” të vlerësohet nëse takimi i kësaj të enjte në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “do të jetë i suksesshëm apo jo, gjegjësisht nëse do të ketë ndonjë progres”.

Në një prononcim për median opozitare serbe “Danas”, Biserko theksoi se nga njëra anë, Serbia “është e përkushtuar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, por nga ana tjetër, ajo mbetet “prapa në harmonizimin e politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në në krahasim me vendet e tjera kandidate nga Ballkani Perëndimor”.

“Kjo tregon se vendosmëria e saj nuk është e sinqertë”, pohon ajo, duke shtuar se “sigurisht që kjo vlen edhe për Kosovën”.

Pak para takimit në mes të Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç-it – të cilët kanë katër muaj pa u takuar – Biserko potencon se përkundër të gjitha përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së, “nuk ka pasur zhvillime të rëndësishme në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Projekti i Kosovës po interpretohet gjithnjë e më shumë nga opinioni ynë si një projekt i pasuksesshëm i Perëndimit dhe shkaku kryesor i destabilitetit global. Kjo përdoret veçanërisht nga Rusia për të justifikuar agresionin e saj kundër Ukrainës”, shtoi.

Megjithatë, pohon ajo, Serbia është gjithashtu nën presion të madh “për t’i dhënë fund çështjes së Kosovës, të cilës Beogradi po i reziston në mënyra të ndryshme”.

“Pra presidenti Vuçiç po shkon në Bruksel, edhe pse nuk pret shumë nga ai takim. Ai është pro status-quo sepse blen kohë për disa rrethana të tjera ndërkombëtare. Vuçiç gjithashtu thekson se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030 nuk ka gjasa, siç po spekulohet”.

“Domethënë, niset nga diskutimet që zhvillohen brenda vetë BE-së, e cila vetë duhet të kalojë njëfarë transformimi për të qenë në gjendje të marrë anëtarë të rinj, ku tani përfshihen Ukraina dhe Moldavia”, beson Biserko.

Aktualisht në Bruksel është duke u zhvilluar takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe të Dërguarin Special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Pamje nga takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Para kësaj, përfaqësuesit evropianë janë takuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Kurse, me fillim nga ora 11:00 pritet që të mbahet takimi trelateral.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore