Shqipëria

Bieber: Shtetet e Ballkanit Perëndimor po rrëshqasin në sisteme autokratike


Florian Bieber

Teoricieni dhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Graz-it, Florian Bieber, shkruan në librin e tij të fundit – “Ngritja e Regjimeve autoritare në Ballkanin Perëndimor” – se shtetet e këtij rajoni, secili në mënyrën e vet, po i ikin demokracisë dhe po rrëshqasin në sisteme autokratike, sidomos në 10 vjetët e fundit.

Pas disa analizave krahasuese, Bieber konstaton se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që ende nuk janë integruar në Bashkimin Evropian (ai futë edhe Kroacinë në shtet të BP-së) po u ikin “themeleve demokratike” me një “ritëm shumë të shpejtë” dhe po bëhen autokratike, shkruan Albanian Post.

Siç e shpjegon Bieber, nuk ka një përshkrim universal për të gjitha vendet që do të përmblidhte trendët rajonale autokratike, edhe pse ka faktorë të ngjashëm: institucione të dobëta, shtete të pakryera, polarizime të brendshme, struktura partiake të dobëta, pa bazament solid dhe profil programor të qartë, çka sugjeron se këto parti më shumë operojnë për interesa të grupeve të ngushta dhe elitave.

Gjithsesi, në secilin shtet ballkanik ka specifika shtesë që ndihmojnë në ngritjen dhe fuqizimin e regjimeve autokratike.

Po ashtu, Bieber thotë se në forcimin e këtyre sistemeve ndihmojnë edhe elemente si opozita të dobëta dhe të korruptuara, shoqëri civile të fragmentuara, të cilat në fakt janë pjesë e këtyre regjimeve që ai i quan “autokraci garuese”, që nënkupton se megjithatë gara politike bëhet, por ngjyrimi autokratik mbetet.

Ballkani Perendimor

Kur flet për autokratë, Bieber e ka mendjen te kryeministrat, presidentët e të tjerë që qeverisin formalisht në sisteme demokratike, por në të njëjtën kohë implementojnë modele të qeverisjes që i dëmtojnë pikërisht institucionet demokratike.

“Regjimi autokratik garues” mbështetet në figura politike dominuese që kontrollojnë edhe një pjesë të mirë të mediave, të cilat i nxjerrin ata si luftëtarë të zotë për popullin.

Bieber gjen se për këtë gjendje në këto shtete, aq sa ka faj konteksti lokal politik, ngjyrimi folklorik dhe tradicionalizmi e mungesa e eksperiencës demokratike, njëjtë ka faj edhe hezitimi i Bashkimit Evropian, që po krijon shtratin për “lindjen e gjeneratës së autokratëve të rinj”.

Profesori nga Luksemburgu thotë edhe se këta autokratë përdorin, atëherë kur ju duhet, edhe nacionalizimin, por jo si qëllim final, por vetëm si mjet për të krijuar kohezion te masat, respektivisht votuesi i tyre.

Si shembulli më “perfekt” i këtij lloj autokrati, për Bieber është presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Libri i Bieber është përkthyer në serbisht, por ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore