Lajme

Biden shtrëngon duart me Putin-in, nis takimi historik


Pas fjalës së shkurtër të Presidentit zvicerian, Guy Parmelin, që uronte të ftuarit “specialë”, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shtrënguan duart para kamerave.

Të dy udhëheqësit u shfaqën të buzëqeshur, para se të hynin në vendin ku do zhvillohej samiti.

Takimi i 16 qershorit mes Biden-it dhe Putin-it pritet të zgjasë nga katër deri në pesë orë gjithsej, me seanca të shumta ndërmjet.

Së pari, ata do të marrin pjesë në një seancë të vogël, së bashku me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov, përpara një seance më të zgjeruar pune.

Biden dhe Putin po ashtu pritet të mbajnë konferenca për shtyp të ndara pas takimit.

Takimi i 16 qershorit

Pas pesë vitesh, që nga takimi i tyre i fundit në 2016, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, përballet me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Takimi i të mërkurës së 16 qershorit mes dy udhëheqësve po mbahet brenda një vile zvicerane të shekullit XVIII. Ajo është e vendosur përgjatë një liqeni, në mes të Parc de la Grange në Gjenevë.

Joe Biden bëhet kështu presidenti i pestë që ulet në bisedime me Putin-in.

Pse po takohen Putin dhe Biden?

Megjithëse të dy udhëheqësit janë takuar më parë, Biden përballet për herë të parë me “kundërshtarin” që kur u zgjodh president.

Gjatë një telefonate me Putin-in në muajin prill, ishte Biden ai që propozoi takimin. Kjo përballje do të shërbejë si një provë e madhe për presidentin e ri, i cili ka një njohje të mirë me udhëheqësin rus.

Në javët e fundit, sulmet e “ransomware” në SHBA kanë qenë të lidhur me hacker-at rusë. Ka zemërim edhe kundër burgosjes së liderit rus të opozitës, Alexei Navalny.

Përpara Samitit, Shtëpia e Bardhë përshtati mesazhin e saj për të theksuar se takimi po zhvillohej për shkak të mosmarrëveshjeve me Rusinë, jo përkundër tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore