Kosova

BE-ja për sulmin ndaj gazetarëve në Veri: Siguria e tyre s’duhet të rrezikohet


Bashkimi Evropian e ka dënuar sulmin ndaj gazetarëve të Klan Kosovës në Zubin Potok këtë të hëne.

“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin e sotëm ndaj ekipit të Klan Kosovës në Zubin Potok dhe u urojmë atyre shërim të shpejtë”, thuhet në reagim.

“Ky dhe incidentet e mëhershme që e prekin punën e mediave janë të papranueshme. Mediat kanë çdo të drejtë që të raportojnë. Siguria e tyre nuk duhet të rrezikohet”.

Ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi ka bërë të ditur se është njoftuar për një tjetër sulm të rëndë kundër gazetarëve që po raportojnë nga veriu i vendit.

“Persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në Zubin Potok”, ka njoftuar AGK-ja.

Sulmohen me gurë ekipi i Klan Kosovës në Veri, dërgohen në spital

Ndërkaq tash e 17 ditë barrikadat vazhdojnë të bllokojnë rrugët në Veri.

Ato fillimisht u vunë si shenjë proteste ndaj arrestimit të Dejan Pantiç nga policia, një ish polic serb i Kosovës që tashmë akuzohet për sulm ndaj policisë.

Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.

Kjo, pasi qeveria e Kosovës mori vendim të zbatojë masa për vozitësit e makinave me targa ilegale.

Pas sugjerimeve të ndërkombëtarëve Kosova hoqi dorë nga implementimi i masave, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Si përshkallëzim vendosën edhe barrikada në 11 vende. Meqë gjithçka u bllokua, Kosova vendosi të mbyllë dy pika kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kosova vetë nuk po i largon barrikadat dhe këtë ia ka kërkuar KFOR-it. Deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë hap as KFOR-i, duke lënë të ngrirë situatën në Veri.

Këtë të hëne, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Ferenc Kajar dhe Shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.

Por, takimi nuk ka rezultuar me përfundime konkrete, përveç një pajtimi të përgjithshëm se duhet të largohen barrikadat.

“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria, por pa treguar se kur dhe nga kush do rivendoset kjo liri.

Kurti takohet me komandantin e KFOR-it dhe Shefin e EULEX-it: U pajtuam, s’duhet të ketë barrikada në rrugë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore