Lajme

Sulmohen me gurë ekipi i Klan Kosovës në Veri, dërgohen në spital


Gazetaret ne Veri.

Një sulm tjetër në Veri ka ndodhur ndaj gazetarëve të Klan Kosovës të cilët janë dërguar për hospitalizim në spital.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“Në një trend alarmues, AGK-ja është njoftuar sot për një tjetër sulm të rëndë kundër gazetarëve që po raportojnë nga veriu i vendit. Persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në Zubin Potok”.

“Ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç. Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Ndërkaq për këtë rast është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së veriut, Besim Hoti ka thënë për Albanian Post se rasti është duke u trajtuar në statcionin jug Mitrovicë.

“Rasti ka ndodhur në Zupq të Zubin Potokut, rasti është duke u trajtuar në stacionin jug Mitrovicë, kurse deklaratat duhet siguruar nga të dëmtuarit”, tha Hoti për AP.

Ilustrim.

Tash e 17 ditë barrikadat vazhdojnë të bllokojnë rrugët në Veri.

Ato fillimisht u vunë si shenjë proteste ndaj arrestimit të Dejan Pantiç nga policia, një ish polic serb i Kosovës që tashmë akuzohet për sulm ndaj policisë.

Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.

Kjo, pasi qeveria e Kosovës mori vendim të zbatojë masa për vozitësit e makinave me targa ilegale.

Pas sugjerimeve të ndërkombëtarëve Kosova hoqi dorë nga implementimi i masave, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Si përshkallëzim vendosën edhe barrikada në 11 vende. Meqë gjithçka u bllokua, Kosova vendosi të mbyllë dy pika kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kosova vetë nuk po i largon barrikadat dhe këtë ia ka kërkuar KFOR-it. Deri më tani nuk ka ndërmarrë ndonjë hap as KFOR-i, duke lënë të ngrirë situatën në Veri.

Kjo krizë ka bllokuar edhe dialogun në Bruksel, i cili u duk se po futej në një fazë përfundimtare me propozimin franko-gjerman.

Aktualisht në Veri forca patrulluese është KFOR-i, derisa policia e Kosovës nuk mund të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.

Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në Veri për14 ditë, derisa KFOR dhe EULEX ndihmuan zëvendësimin e tyre.

Kurse, më 26 dhjetor, rreth orës 20:00 të së dielës u dëgjuan breshëri armësh në rrethinë të Zubin Potokut në Veri të Kosovës, afër njërës nga barrikadat e vendosura nga serbët atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore