Lajme

BE dhe ShBA duhet të ndjekin politikë më të ashpër ndaj Serbisë, thotë Bugajski


Janusz Bugajski

Serbia s’ka arsye ta njoh pavarësinë e Kosovës sepse presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, s’po i bëhet presion i mjaftueshëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë anëtari i lartë në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA), Janusz Bugajski.

“Ai (Vuçiç) mendon se mund t’i bëjë të dyja – të ruajë status quo-n në Kosovë dhe të zgjerojë ndikimin dhe dominimin e tij eventual në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi”, ka theksuar ai për mediumin malazez ‘Pobjeda’.

Edhe pse Parlamenti Evropian ka ndërmarrë disa inciativa që të ‘sanksionojë’ Serbinë për shkak të refuzimit të saj që ta harmonizojë politikën e jashtme me atë të BE-së pas agresionit rus në Ukrainë, për Bugajskin, rezultatet janë ende të pasigurta dhe siç vlerëson ai duhet të ndiqet një politikë më e ashpër në raport me Serbinë.

“Serbia bëhet qendra e biznesit rus, sepse Moskës nuk i vendosen sanksione dhe funksionon pa asnjë pasojë”, vuri në pah ai.

Gjithashtu, Bugajski vlerëson se qeveritë perëndimore duhet të reagojnë më ashpër ndaj nacionalizmit ekspansionist në rajonin e Ballkanit, i cili sipas tij, “është i lidhur me aksin Beograd-Moskë”.

“Ata besojnë se Serbia mund të dalë si një hegjemon rajonal dhe se qeveritë perëndimore nuk do të ndërhyjnë me dhunë për ta parandaluar këtë”.

“Motivet, strategjitë dhe skenarët e destabilizimit duhet t’u shpjegohen shumë më mirë qeverive perëndimore”, shtoi Bugajski.

Duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale në Mal të Zi, Bugajski potencon se populizmi në rritje në Evropë, ka sjellur forcat pro-serbe dhe pro-ruse në pushtet.

“Në rastin e Malit të Zi, nacionalistët serbë rrokën probleme të shumta ekonomike dhe sociale, si dhe çështjen e identitetit, për ta portretizuar presidentin (Milo Gjukanoviç) dhe DPS-në si një establishment që duhet të rrëzohet dhe të manipulojnë edhe pro-evropianët e vërtetë për ta zëvendësuar atë”.

“Ata kanë fonde të konsiderueshme, inteligjencë dhe ndihmë strategjike nga Beogradi dhe Moska”, shpjegon Bugajski duke shtuar se Mali i Zi po hyn në një periudhë kritike të luftës së thellë për identitetin dhe pavarësinë e tij, të cilën Perëndimi s’po e kupton.

“Qytetarët e Malit të Zi duhet të informohen më mirë se mbështetja për nacionalistët serbë dhe partitë e egra anti-DPS në fakt pengojnë anëtarësimin e vendit në BE dhe zhvillimin e ekonomisë së tij”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore