Lajme

Bashkimi Evropian dërgon 22 vëzhgues afatgjatë për zgjedhjet lokale në Kosovë


Zëvendësshefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Konrad Olszewski

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian ka dërguar 22 vëzhgues afatgjatë për zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 17 tetor të vitit 2021.

Me nisjen e vëzhguesve afatgjatë pranë selisë së misionit “EU EOM” në Prishtinë, zëvendësshefi i misionit, Konrad Olszewski, ka thënë se kjo do të kontribuojë për të arritur një vlerësim të plotë rreth procesit të zgjedhjeve.

“Sot po i përcjellim 11 ekipe vëzhguesish afatgjatë, secili nga dy anëtarë, të cilët do ta vlerësojnë fushatën dhe përgatitjen për zgjedhje në të gjitha komunat në të gjithë Kosovën”, është shprehur Olszewski para mediave.

Sipas tij, vëzhguesit afatgjatë janë “shumë të rëndësishëm që misioni të mund të arrijë një vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës të procesit zgjedhor në përputhje me metodologjinë standarde të vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE”.

Disa nga pjesëtarët e ekipit të cilët do të vëzhgojnë zgjehdjet lokale në Kosovë

Po ashtu, ai ka treguar se vëzhguesit afatgjatë vijnë nga 19 shtete dhe gjysma e tyre janë gra.

“Ato do të takohen me zyrtarë vendorë për zgjedhje, kandidatë dhe përfaqësues nga partitë politike, si dhe me shoqërinë civile dhe mediat”.

Olszweski se misioni do të përforcohet edhe me vëzhgues afatshkurtër rreth ditës së zgjedhjeve për t’u siguruar që një numër i konsiderueshëm vendvotimesh të vizitohen.

“EU EOM do të qëndrojë në Kosovë deri në përfundimin e procesit zgjedhor, përfshirë balotazhin e mundshëm të zgjedhjeve për kryetar komune”, shtoi ai.

Ndërkaq, zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor, për të cilat të enjten e 16 shtatorit ka nis fushata zgjedhore nga kandidatët për kryetarë të komunave të Kosovës.

“Periudha e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale mbetet 30 ditë”.

Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, gjatë mbledhjes së 60-të të KQZ-së për vitin 2021.

“Nga 16 shtatori fillon fushata zgjedhore, për këto zgjedhje fushata është 30 ditë dhe kjo periudhë është ligjore dhe nuk mund të ndryshohet”, është deklaruar Radoniqi.

KQZ-ja gjatë mbledhjes së 60-të për vitin 2021

Ai, ka bërë thirrje të gjithë subjekteve politike të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale t’i përmbahen rregullave të KQZ-së, duke i respektuar edhe masat mbrojtëse të miratuara nga Qeveria e Kosovës kundër virusit COVID-19.

Kurse gjatë ditës së hënë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte ftuar në takim të gjithë krerët e partive politike në Kosovë për të diskutuar për mundësin e shtyrjes së zgjedhjeve.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ketë valë të re të virusit.

Por, ndryshe nga Kurti partitë opozitare në Kosovë, pas takimit me presidenten Osmani, kishin kërkuar që zgjedhjet të mbahen në datën e caktuar pra me 17 tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me presidenten Osmani

“Ne besojmë që një skenar për shtyrje të zgjedhjeve nuk bën të ekzekutohet, sepse në pyetje është demokracia. Nuk kishte pajtueshmëri për shtyrje të zgjedhjeve dhe kjo është ditë e mirë për demokracinë”, ishte deklaruar Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka theksuar se beson që nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve.

“Ne kemi shprehur qëndrimin tonë, që jemi të gatshëm edhe ta pezullojmë fushatën, që të ketë respektim rigoroz të respektimit të masave, po ashtu kërkova nga Qeveria t’i japë prioritet vaksinimit të personave të përfshirë në KQZ”, kishte potencuar Krasniqi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore