Shqipëria

Basha: Nuk mund të jesh kundër korrupsionit ditën, e kundër SPAK-ut natën


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij në Kuvendin Zgjedhor të degës numër 5 në Tiranë, përsëriti edhe njëherë qëndrimin e PD-së në mbështetje të SPAK.

Ai kërkoi votimin e amendamenteve të propozuara në Kuvendin e Shqipërisë, pasi siç u shpreh, forcojnë më shumë institucionet e drejtësisë.

“Tani të gjithë kemi kohë që flasim për korrupsionin, edhe ne edhe ata që flasin në emrin tonë e tundin flamurin tonë, por jo të gjithë jemi njësoj”.

Sipas Bashës, nuk mund të jesh kundër korrupsionit ditën, e kundër SPAK-ut natën.

“Kjo nuk është vetëm paqartësi politike, kjo është vrastare për interesat e demokratëve sepse është e rrezikshme për interesin publik. Prandaj bashkë me propozimet tona në Parlament për të fuqizuar SPAK-un, ndodhet edhe propozimi tjetër për të hequr imunitetin parlamentar. Ky është një qëndrim pa ekuivok, ky është një qëndrim që ndan ditën nga nata, fjalët nga veprat”.

Basha theksoi se Partia Demokratike, ka qëndruar dhe qëndron jo thjesht me fjalë, por me fakte si ato që ndodhen të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë, për fuqizimin e SPAK-ut.

“Forcim dhe jo dhe jo dobësim të institucioneve të drejtësisë, fuqizim institucioneve të drejtësisë, inkurajim i drejtësisë për të luftuar dhëmbë për dhëmbë korrupsionin politik, pavarësisht prej ngjyrave, pavarësisht prej emrave, ky është qëndrim i prerë, mbështetja jonë për SPAK, për GJKKO, për BKH, për drejtësinë”.

Amendamentet

Disa ditë më parë Basha ka bërë me dije se forca e djathtë politike është gati të dorëzojë në Kuvend disa amendamente, të cilat kanë për qëllim mbështetjen e Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Por, para së gjithash, gjatë një konference për shtyp, ai ka folur mbi raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë, ku evidentohen disa problematika serioze sa i takon gjyqësorit dhe korrupsionit në vend.

“Raporti i DASH i cili konfirmon atë që shqiptarët e dinë dhe prekin çdo ditë, që korrupsioni është problemi më i madh kësaj qeverie dhe vendit. Kjo lidhet me krizën ekonomike dhe koston e jetesës”, theksoi fillimisht Basha.

Më tej, ai shtoi se korrupsioni ushqehet çdo ditë nga qeveria e Edi Ramës përmes skemave që sa vijnë e sofistikohen.

Ndaj, në këto kushte, sipas Bashës, prioriteti i vërtetë kombëtar është lufta kundër korrupsionit.

“SPAK lindi si nevojë për të luftuar nivelin gjigand të korrupsionit.
Ndaj përsëris thirrjen për çdo faktor politik, të forcojmë një fron të përbashkët me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi”, theksoi.

Ai po ashtu vlerësoi punën e zhvilluar nga Organizatat Jo-Qeveritare dhe i bëri thirrje atyre dhe donatorëve të huaj, që të mos i rreshtin përpjekjet.

Në mbyllje, e ravijëzoi se PD-ja ka gati amendamentet për të mbështetur punën e SPAK-ut dhe do t’i dorëzojë ato së shpejti në Kuvend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore