Lajme

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë e falënderon në shqip Kurtin për dënimin e sulmit nga Hamasi


Ambasadorja e Izraelit në Prishtinë, Tammy Ziv.

Ambasadorja e Izraelit në Prishtinë, Tammy Ziv, ka përzgjedhur që në gjuhën në shqipe ta falënderoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për dënimin e sulmit terrorist nga Hamasi kundër shtetit të Izraelit.

“Ju faleminderit shumë, Shkëlqesia Juaj z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës!”, shkroi Ziv në platformën X.

Më herët, kryeministri Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën X, ka theksuar se Kosova dënon pa mëdyshje sulmet terroriste kundër shtetit të Izraelit, pasi grupi militant Hamas ka lëshuar mijëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur kundërpërgjigjen e Izraelit i cili kreu sulme ajrore ndaj caqeve në Rripin e Gazës.

“Mendimet tona janë me popullin e Izraelit gjatë kësaj kohe tepër sfiduese”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka potencuar se Kosova “dënon të gjitha aktet e dhunës dhe qëndron në solidaritet të palëkundur me të prekurit”.

E tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael ka mbetur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një postim në platformën sociale, X, Osmani ka shprehur solidaritetin e plotë të Kosovës ndaj Izraelit.

“Të tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael. Ne shprehim solidaritetin tonë të plotë ndaj presidentit Isaac Herzog, popullit dhe shtetit të Izraelit në këto orë të errëta. Mendimet tona janë me familjet e viktimave”.

Sulmet terroriste kundër Izraelit fillimisht ka dënuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Kosova dënon fuqishëm sulmet terroriste kundër Izraelit. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Izraelin në këto momente të tmerrshme. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, thuhej në komunikatën për media e lëshuar nga ky dikaster.

Kurti: Kosova dënon pa mëdyshje sulmet terroriste kundër Izraelit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore