Lajme

Ambasadorja e Francës në Kosovë: Është bërë përparim në çështjen e liberalizimit të vizave


Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel

Me rastin e pritjes për Festën Kombëtare Franceze të enjten, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, ka dhënë sinjale pozitive për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave. Në të vërtet diskutimet që u zhvilluan nën presidencën franceze, gjatë takimit të Këshillit Evropian të 23 qershorit kanë vënë themelet për shtyrjen përpara të kësaj teme, gjithmonë duke marrë parasysh shqetësimet tona sa i përket migracionit dhe sigurisë”, ka deklaruar ajo.

Butel, konsideron se rezultatet vinë edhe varësisht nga puna e institucioneve.

“Në fakt çështja e liberalizimit të vizave është rikthyer qartë në tryezën e diskutimeve evropiane, në kushte më të favorshme se asnjëherë më parë. Është gjithashtu rezultat i punës së bërë nga Kosova për të qenë më proaktive në skenën ndërkombëtare”.

Ndërkaq, shfrytëzoi rastin edhe të përcjell një mesazh për dialogun Kosovë-Serbi.

“Lufta në Ukrainë rikujton urgjencën për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Nuk ka alternativë dialogu. Përderisa kjo mosmarrëveshje vazhdon, nuk do të ketë integrim të mundshëm për Kosovën dhe Serbinë brenda Bashkimit Evropian”.

Në këtë ceremoni morri pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh se Dita e Bastiljes është shpërthim i Deklaratës së Lirisë.

“Dita e Bastiljës është në të njëjtën kohë edhe shpërthimi me çdo kusht i Deklaratës së Lirisë, rënia e burgut të Bastiljës, por edhe shpallja popullore e një kryengritje masive të madhe për liri. Prandaj, Republika do të përbënte një marrëdhënie të përhershme midis lirisë dhe popullit”.

“Demokracia duhet të shtrihet dhe do të shtrihet për të përfshirë një Republikë, që përbën një arsye të mjaftueshme për një 14 korrik të dytë atë të Federatës, një vit më vonë”, tha ai.

Të pranishëm në këtë ceremoni për Festën Kombëtare Franceze ishin edhe personalitete nga institucioneve të ndryshme, përfshirë edhe liderët opozitarë.

Festa Kombëtare Franceze është e lidhur me dy ngjarje emblematike në historinë e Francës: Kryengritjen popullore dhe pushtimin e Bastiljës më 14 korrik 1789, pikënisje e Revolucionit Francez; dhe Festa e Federatës së 14 korrikut 1790, duke festuar në Paris unitetin kombëtar dhe përvejtorin e parë të marrjes së Bastiljes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore