Lajme

Ambasadori suedez: Duhet të ketë më shumë zyrtarë të EULEX-it në Veri për të biseduar me serbët


Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, në një intervistë për Radio Kim në Kosovë ka thënë se KFOR-i dhe EULEX-i kanë bërë një punë të shkëlqyeshme në Veri, por thotë se ka nevojë për më shumë policë civilë nga bashkësia ndërkombëtare.

“Duke pasur parasysh se kemi pasur dorëheqje të policëve të kombësisë serbe më 5 nëntor të vitit të kaluar, në Veri ka një vakum të caktuar për momentin dhe Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të saj dëshirojnë që policia speciale të tërhiqet nga ndërtesat ku kryetarët e komunave janë të vendosur”, tha ai.

“Duhet të ketë këshilltarë policorë civilë nën kujdesin e EULEX-it, të cilët do të ishin në gjendje të bisedojnë me popullatën lokale. Prandaj, mendoj se do të ishte një ide e mirë që të kemi më shumë këshilltarë – policë civilë nën kujdesin e EULEX-it”, shtoi ai.

Ai thekson se EULEX-i tani ka vetëm dy këshilltarë civilë për policinë për katër komuna në Veri, një nga Austria dhe një nga Sllovenia.

“Besoj se ka nevojë të rritet ky numër, sepse policia civile e EULEX-it mund të krijojë besim në mes të popullatës vendase dhe komunitetit ndërkombëtar”, thotë diplomati suedez.

Westerlund ka shtuar se Suedia mbështet masat e BE-së kundër Kosovës.

“Si anëtare e BE-së, ne mbështesim masat e marra nga zoti Lajçak dhe përfaqësuesi i lartë Borrell, kemi një plan me tre pika që është prezantuar dhe janë marrë masat. Do të duhet të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me këto masa, por ne jemi plotësisht prapa këtyre masave”.

“Ne duhet ta zgjidhim këtë krizë aktuale, por duhet të shohim edhe përpara, kështu që çdo vend që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së do të duhet të ndjekë disa hapa, përfshirë rekomandimet e BE-së”, thekson diplomati suedez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore