Lajme

Ambasadorët dënojnë sulmet e dhunshme të protestuesve në Zveçan: Ndaluni menjëherë


Foto nga perleshja

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka dënuar sulmet e dhunshme të protestuesve kundrejt forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Zveçan.

“SHBA-të dënojnë fuqishëm aksionet e dhunshme të protestuesve në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivit, kundrejt trupave të NATO-s”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

 

“Trupat e KFOR-it kërkojnë paqe. Ne bëjmë thirrje për ndalim të menjëhershëm të dhunës që nxisin tensione apo promovojnë konflikt”, përfundoi mesazhi i shkurtër i ambasadorit.

Njëjtë si Hovenier ka reaguar edhe homologu i tij britanik, Nicholas Abbott.


“Sulmet ndaj personelit të KFOR-it dhe gazetarëve janë kriminale dhe të papranueshme. Ashtu sic QUINT-i e ka bërë krejtësisht të qartë, aksionet duhet të merren menjëherë për të de-eskaluar dhe reduktuar tensionin”.

Ndërsa Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar se çdo veprim i dhunshëm ndaj NATO-s, KFOR-it dhe gazetarëve është absolutisht i papranueshëm dhe duhet të ndalet.

“Faleminderit të gjitha forcave të KFOR-it në terren. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, shkroi ai nw Twitter.

 

Ndërkaq ambasadori i ri të Francës Olivier Guerot, potencoi se “asgjë nuk i justifikon sulmet e dhunshme kundër KFOR-it dhe gazetarëve”.

“Këto akte duhet të ndalen. Mbështetje e plotë për KFOR-in. Gjithashtu i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa të menjëhershme de-përshkallëzimi”.

 

Ndryshe, Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan, pasi paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

Në një video që është publikuar në mediat serbe shihen protestuesit teksa përleshen më ushtarët e KFOR-it.

Ndërsa një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it, derisa kordoni i paqeruajtësve të KFOR-it, të pajisur për situata krize, vazhdon të mbetet para ndërtesës së komunës.

Më herët janë shpërndarë edhe protestuesit serbë që ishin mbledhur që nga orët e para të mëngjesit të së hënës para ndërtesës së Komunës së Zubin Potokut.

Po ashtu KFOR-i, ka bërë të ditur se ka shtuar praninë në katër komunat veriore pas zhvillimeve atje ku serbët kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në objektet komunale.

Përmes një komunikate për media KFOR-i, ka kërkuar nga palët që të mos nxisin tensione dhe të mos përshkallëzojnë situatën.

“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë”.

“Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999″.

“Beteja” për komunat në Veri – krejt çfarë ndodhi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore