Lajme

“Beteja” për komunat në Veri – krejt çfarë ndodhi


Zveçan, 29 maj 2023/Radio Evropa e Lire

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve elitare policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht trupa amerikane – u vendos para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar me serbë etnikë.

Tensionet ishin më të larta në Komunën së Zveçanit, ku grupe të serbëve lokalë – mes tyre edhe disa me maska e kapele – me të zbardhur dita, u mblodhën grumbull para ndërtesës së komunës, ndërsa në Leposaviq e Zubin Potok, situata në përgjithësi ishte më e qetë.

Protestuesit serbë, të mbledhur që nga orët e para të mëngjesit të së hënës para ndërtesës së Komunës së Zubin Potokut, janë shpërndarë të parët, ndërsa të njëjtit kanë paralajmëruar protestë tjetër të martën (nesër), me synime të njëjta.

KFOR-i pastaj ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve edhe në Zveçan. Paraprakisht, misioni paqeruajtës i paralajmëroi protestuesit serbë që të shpërndahen, por ata nuk iu bindën kërkesës për de-eskalim të situatës dhe hodhën shishe e shok-bomba në drejtimin e tyre.

“Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi – në të kundërtën, KFOR-i do të detyrohet të ndërhyjë”, ishte audio-paralajmërimi i KFOR-it, siç raportoi fillimisht “Radio Evropa e Lirë”.

Serbët lokalë vendosën flamurin e Serbisë në autoblindat e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës, ndërsa në disa të tjera kanë shkruar me sprej të bardhë katër shkronja cirilike “S (С)”, që do të thotë “Vetëm uniteti i shpëton serbët”.

Gjithashtu, veturat e ekipeve të gazetarëve kosovarë janë dëmtuar të hënën në mesditë nga persona të panjohur në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe në to janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Janë dëgjuar edhe këngë irredentise.

Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – bëri përpjekje për të negociuar me KFOR-in dhe kërkoi që kryetarët e rinj të tri komunave atje të mos hyjnë në objektet komunale. Gjithashtu, kërkesë e saj ishte edhe që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet elitare policore nga veriu.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, Igor Simiç dhe Dragisha Milloviç, biseduan me kolonelin e paqeruajtësve amerikanë të KFOR-it në Zveçan dhe kërkuan që policët e Kosovës në këtë komunë të zëvendësohen nga trupat e KFOR-it.

“Kërkesa jonë ka qenë që njësitë speciale të tërhiqen nga ndërtesa e komunës, të largohen nga ndërtesa e komunës dhe sigurinë ta marrë KFOR-i. Ai [koloneli] po flet tani me komandantin e përgjithshëm të KFOR-it për kërkesën tonë”, tha Milloviç para protestuesve.

KFOR-i nga ana tjetër u ka bërë thirrje palëve të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione ose shkaktojnë përshkallëzim të situatës, ndërsa i ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë të angazhohen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

“Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999″, thuhej në reagim.

Në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, para objekteve të komunave ishin të vendosur policë, një rreth më larg pjesëtarë të KFOR-it dhe ballë tyre protestues serbë, derisa në Prishtinë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, zhvilloi takime me kryetarët e rinj të komunave e Presidenten Vjosa Osmani.

Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, të cilët fituan zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit me Partinë Demokratike të Kosovës, i janë përgjigjur thirrjes për takim, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, e cila u mbajt në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Zveçan, 29 maj 2023/Radio Evropa e Lire

Në takim ishin ftuar edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, përkatësisht Lulzim Hetemi dhe Erden Atiq, të cilët fituan me Lëvizjen Vetëvendosje, por ata nuk kanë marrë pjesë në këtë takim, me qëllim uljen e tensioneve në komunat e banuara me shumicë serbe.

Ambasadori Hovenier pas takimit me presidenten Osmani dhe Drejtorin e Agjencisë Kosovare të Intelegjencës, ka thënë se situata në veri të Kosovës është thellësisht shqetësuese dhe ka përsëritur se është me rëndësi që mos të bëhet hyrja me forcë në objektet e komunave.

“Në takim me kryetarët biseduam se si ata mund t’i përmbushin detyrat e tyre, për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, në një mënyrë që tregon përgjegjësi ndaj të gjithë qytetarëve, dhe diçka e tillë, sipas nesh, tani nënkupton moshyrje në ndërtesë me forcë”, tha Hovenier.

Po ashtu, kryetarët e rinj të hënën kanë pasur takim edhe me Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott dhe shefin e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, lidhur me gjendjen në terren.

Kryetarët e Komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, përmes një deklarate të përbashkët për media, kanë thënë se duan dhe janë të gatshëm që detyrën kushtetuese, në të mirë të qytetarëve dhe komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit, ta nisin sa më parë.

Megjithatë, ata kanë thënë se situata aktuale nuk i pëlqen askujt, prandaj, u kanë bërë thirrje të gjitha palëve për qetësi, ngase, sipas tyre, dhuna ka qenë dhe mbetet e patolerueshme në proceset demokratike.

“Jemi zgjedhur nga qytetarët në një proces të lirë dhe demokratik, prandaj, edhe kushtet duhet të krijohen që të qeverisim lirshëm dhe në bashkëpunim me ta. Andaj, ne kërkojmë që sa më parë të kthehet normaliteti, në mënyrë që edhe puna jonë të ketë kuptim”, thuhej në deklaratë.

Ministri i Mbrojtes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, nga ana tjetër, ka thënë se deri në orën 14:00 pasditën e së hënës do të “përfundojnë dislokimi i njësive ushtarake” në kufirin me Kosovën, në përputhje me urdhrin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që ushtria serbe të mbetet në gatishmëri luftarake.

Vuçeviç pati kritika dhe u përzie edhe në punët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, për të cilët theksoi se po mbrojnë Policinë e Kosovës dhe “uzurpuesit e demokracisë”, pasi këta të fundit, kryesisht trupat amerikane, formuan kordonin e sigurisë para objekteve komunale.

Derisa Serbia lëvizi ushtrinë në afërsi të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dekalroi se gjendja e tanishme kërkon që medoemos të zbatohet Marrëveshja e Brukselit/Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe të qetësohet situata në veri të Kosovës.

Ambasadorët e QUINT-it (SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Britanika e Madhe) në ndërkohë, janë parë duke hyrë në objektin e Qeverisë së Kosovës, teksa nuk dihet nëse do të ketë ndonjë deklaratë për media pas përfundimit të takimit.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore