Lajme

Ambasada e Italisë shpreh ngushëllime për tragjedinë në Pejë: Qyteti ka lidhje të veçantë me Italinë dhe italianët


Ambasada e Italise

Ambasada e Italisë në Prishtinë, nëpërmjet një cicërime në llogarinë zyrtare në “Twitter”, ka shprehur ngushëllime për familjarët dhe miqtë e dy viktimave që humbën jetën nga vërshimet e së shtunës në Pejë – qytet që, sipas ambasadës, ka një lidhje të veçantë me Italinë dhe italianët.

“Në emër të Ambasadës u shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve dhe miqve të dy personave që humbën jetën në Pejë, qytet që ka një lidhje të veçantë me Italinë dhe italianët. Mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga përmbytjet”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, një nënë bashkë me fëmijën e saj 5 vjeç, kanë vdekur të shtunën në Pejë, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut. Përveç tyre, në lagjen “Fidanishte” të komunës së Pejës, dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spital.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se që nga fillimi i përkeqësimit të situatës, të gjithë akterët e nivelit qendror kanë qenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë për reagim dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me nivelin lokal ku po bëhet vlerësim sistematik i situatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore