Lajme

Alon Ben Meir: Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë lëshime për të arritur marrëveshje


Alon Ben Meir

Për ekspertin e çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir, për të gjitha mosmarrëveshjet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë, sidomos problemet në pjesën veriore të Kosovës mund të zgjidhen vetëm anë të koncesionit.

Ben Meir, i cili ka qenë shumë aktiv me analizat e tij rreth dialogut Prishtinë-Beograd të ndërmejtësuar nga Bashkimi Evropian, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, konsideroi se në këtë pikë, është e nevojshme që kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç duhet të lëvizin nga pozicionet e tyre aktuale.

“Të gjitha çështjet konfliktuoze që lidhen me pjesën veriore të Kosovës janë të zgjidhshme me kusht që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, të bëjnë disa lëshime të nevojshme për të arritur një marrëveshje. Por për sa kohë që ata qëndrojnë në pozicionin e tyre aktual, sigurisht që nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje”, shkroi ai në Twitter.

Analisti amerikan nuk e ka specifikuar se në bazë të çfarë koncesionesh mund të arrihet një marrëveshje, mirëpo ai edhe në të kaluarën ka qenë ithtar i asaj se mund të arrihet progres para se propozimi i BE-së për normalizim të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit mund të gjejë zbatim të plotë.

Ndryshe, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do ta vizitojë Prishtinën dhe Beogradin gjatë kësaj jave ku do të diskutojë me përfaqësuesit e institucioneve dhe të shoqërisë civile rreth marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus njohjen reciproke.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore