Shqipëria

Aleanca për Teatrin kallëzon në SPAK ministren Margariti, akuza edhe për Yuri Kim


Aleanca për Teatrin ka dorëzuar pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) një kallëzim penal kundër ministres së Kulturës, Elva Margariti, për shpërdorim detyre.

Ndërkohë, Aleanca për Teatrin nuk ka kursyer as ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim, duke e quajtur palë me krimin dhe atyre që shkelin ligjet.

Sa i përket ministres, ata janë shprehur se “kishte marrë urdhër nga shefi i saj që të mbylleshin dyert kryesore”.

Aleanca kërkoi ndjekje penale edhe për katër policët “për sjelljen e tyre në shkelje të etikës, në mënyrën e dhunshme ndaj artistëve dhe qytetarëve që shkuan thjesht për të depozituar një kërkesë në Ministrinë e Kulturës”.

Ata kërkojnë gjithashtu përgjigje për kallëzimet që kanë kryer deri tani, pasi hetimet e SPAK-ut, sipas tyre, kanë përfunduar.

“SPAK nuk po merr akoma masa. Gjykata Kushtetuese u tregua në lartësinë e gjykatës. SPAK-u nuk po bën punën”, u shpreh përfaqësuesja ligjore e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Adriana Kalaja.

Ndër të tjera, Kalaja e konsideron reagimin e kreut të SPAK-ut, Arben Krajës, “jo etik”. Ajo kërkoi të çohet në gjyq video e shembjes së Teatrit Kombëtar.

“Ju të gjithë jeni dëshmitarë. Po heqim të gjitha abuzimet që Erion Veliaj ka bërë me ligjet. Por, nuk e dimë çfarë pret SPAK për të çuar në gjykim videon e shembjes me qytetarë brenda. Ka shumë shkelje skandaloze, shpërdorim detyre nga SPAK”.

Përfaqësuesja ligjore theksoi se “do t’i shkojmë deri në fund, edhe shumë shpejt do t’ju bëjmë më dije kallëzimet drejt gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK-ut”.

Në prononcimin pas depozitimit të kallëzimit penal për ministren e Kulturës dhe persona të tjerë nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Neritan Liçaj tha se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk kthehet vetëm trualli, por edhe godina e Teatrit.

“Unë besoj, i bëj thirrje drejtësisë, Prokurorisë, prokurorëve, kemi nevojë për drejtësi, na jepni të drejtën që na takon me Kushtetutë, ose përndryshe e grisim atë kushtetutë dhe shkojmë e bëjmë kushtetutën në Surrel”, u shpreh Liçaj.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përmes një postimi në median sociale Facebook, të mërkurën e 28 korrikut ka reaguar lidhur me paraqitjen e përfaqësuesve të Teatrit Kombëtar pa kërkesë për takim.

“Keqardhje për gjuhën dhe sjelljen e përfaqësuesve të një grupi, që u paraqit sot te dera e Ministrisë pa asnjë kërkesë për takim. Në Ministrinë e Kulturës priten e përcillen me respekt të gjithë ata që dinë të trokasin, duke respektuar institucionin, qoftë kur kanë ide e projekte për të diskutuar, qoftë kur kanë ankesa apo kritika për të adresuar”, shkruan ministrja.

Sa për Teatrin Kombëtar, bën me dije Margariti, ka një vendim shumë të qartë të Gjykatës Kushtetuese, dhe ai vendim është vetëm për t’u zbatuar nga institucionet dhe për t’u respektuar nga të gjithë.

Përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, më 28 korrik i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës, që drejtohet nga Elva Margariti.

Mes tyre, Neritan Liçaj, vëllezërit Budina dhe artistë të tjerë, përmes një kërkese i kërkojnë Ministrisë së Kulturës që të nisë procedurat për kthimin e pronësisë së truallit të Teatrit nga bashkia te ministria.

Përfaqësuesit e Aleancës për Teatrin akuzojnë se nuk janë lejuar që të futen në ambientet e Ministrisë së Kulturës për të bërë depozitimin e kërkesës dhe se asnjë punonjës nuk doli që t’i priste.

Situata e tensionuar zgjati disa minuta. Më pas, përfaqësuesve të Aleancës ju premtua se do të dilte një punonjës nga ministria për të marrë kërkesën e tyre.

Kushtetuesja shfuqizon – përfundimisht – ligjin për Teatrin

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur plotësisht vendimin për çështjen e Teatrit Kombëtar, të premten e 16 korrikut, duke shfuqizuar përfundimisht ligjin special për Teatrin dhe duke pezulluar ndërtimin e godinës së Teatrit të ri.

Përkatësisht, bëhet fjalë për ligjin numër 37/2018, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës” me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Arsyetimi mbi këtë pikë është papajtueshmëria që ligji shfaq me Kushtetutën e Republikës.

Kjo pikë e parë, është rrjedhojë e shfuqizimit të kalimit të pronësisë në emër të Bashkisë së Tiranës nga Ministria e Kulturës.

Nëpërmjet shfuqizimit të vendimit numër 377, datë 08.05.2020, të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, Kushtetuesja rrëzon të dyja pikat.

Arsyetimi mbi kalimin e pronësisë është po i njëjtë. Papajtueshmëri me Kushtetutën e Shqipërisë.

Pavarësisht këtij vendimi, shembja e Teatrit mbetet e ligjshme nga ana e Bashkisë. Pra, nuk ka shkelje në këtë pjesë të “sagës” së godinës kulturore.

Kjo pikë është e bazuar në ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar. Kërkesa në këtë rast ka qenë e papajtueshme me Kushtetutën.
Vendimi i pjesshëm ishte bërë me dije edhe më parë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Asnjë ndryshim nuk ka në këtë vendim përfundimtar.

Prej çastit të botimit në Fletoren Zyrtare, nuk ka më kthim prapa të këtij vendimi, pasi bëhet i formës së prerë.

Historiku i çështjes së Teatrit

Orët e para të 17 majit të vitit 2020, do ta gjenin gjithë Shqipërinë, por veçanërisht kryeqytetin, përballë lajmit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Ngjarja menjëherë krijoi një dyzim në opinionin publik dhe mbi të gjitha, nisi një zanafillë konfliktesh midis disa palëve.

Prej thuajse dy vjetësh, disa aktorë të Teatrit, por edhe aktivistë, i kishin dalë kundër propozimit fillimisht dhe më pas vendimit të Qeverisë, për të prishur godinën. Kjo, sepse sipas tyre, Teatri ishte pjesë e trashëgimisë kulturore dhe nuk mund të prekej.

Nëntë ditë përpara prishjes, më 8 maj 2020, Teatri Kombëtar i kaloi përfundimisht Bashkisë së Tiranës në pronësi. Ishte pikërisht ky vendim, ai i cili i hapi rrugë prishjes së godinës.

Prishja shkaktoi një sërë protestash publike edhe pse vendi gjendej në kohë pandemie. Jo të pakta ishin edhe rastet kur pati konfrontim fizik midis aktivistëve dhe policisë.

Por, ajo që mbetej, ishte një shesh bosh, nje plan i ri për teatrin dhe një grupim njerëzish të mbështetur nga presidenti, për të çuar kauzën në Gjykatën Kushtetuese.

Padia

Presidenti Ilir Meta e pati çuar vendimin për kalimin e pronës nga Ministria te Bashkia, më 14 maj 2020, vetëm tri ditë përpara prishjes së godinës.
Sipas Metës, vendimi “cenonte pasuritë publike dhe ishte anti-kushtetues”.

Kjo gjithsesi, nuk e ndaloi shembjen.

Për këtë shkak, çështja u zhvendos nga “të shpëtojmë godinën e Teatrit” në “të rikthejmë godinën e Teatrit”.

Një grupim me aktorë dhe shoqëri civile u formua dhe u prezantuan publikisht si Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Protestat e tyre vazhdonin, si parakusht për refuzimin e vendimit të Bashkisë së Tiranës.

Rruga, e cila ata ndoqën, ishte mbledhja e një dosjeje mbi çështjen dhe bashkimi i forcave me presidentin, për t’ia parashtruar Gjykatës Kushtetuese në tryezë.

Kjo e fundit e shihte veten pa kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar çështje deri më 24 dhjetor.

Me betimin e Përparim Kalos u plotësua minimalja e pesë anëtarëve nga nëntë.

Tashmë, gjashtë muaj më pas, dosja e parë me peshë në opinionin publik, është shqyrtuar.
E vetmja gjë që pritet për Teatrin, është vendimi!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore