Lajme

Akuza për spiunazh: Kina dënon kanadezin me 11 vjet burg


Në orët e para të 10 korrikut, një gjykatë kineze mori vendimin për Michael Spavor, shtetasin kanadez, duke e dënuar me 11 vite burg pas akuzave për spiunazh.

Ky rast shihet si hakmarrje për arrestimin e ekzekutivit të Huawei (CFO), Meng Wanzhou në Vancouver të Kanadasë.

Michael Spavor, i cili drejtoi shkëmbime kulturore me Korenë e Veriut nga Kina, u shpall fajtor për “rrjedhje” të sekreteve shtetërore tek të huajt, sipas Gjykatës Popullore të Mesme Dandong në Kinën verilindore.

Spavor do të gjobitet me afro 7 mijë dollarë dhe do të dëbohet pasi të kryejë dënimin.

Ndërkaq, Spavor ka dy javë kohë për të apeluar.

Vendimi u shpall një ditë pasi Gjykata e Lartë e Popullit Liaoning la në fuqi dënimin me vdekje për Robert Schellenberg.

Të dyja vendimet u morën pasi argumentet përfundimtare po bëheshin në Kanada për të përcaktuar nëse Meng, zyrtarja kryesore financiare e Huawei-t, do të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara.

Meng, vajza e themeluesit të grupit teknologjik Ren Zhengfei, është akuzuar nga autoritetet amerikane për akuza të shumta të mashtrimit në lidhje me sanksionet kundër Iranit.

Ajo u lirua me kusht dhe ka jetuar në rezidencën e saj në Vancouver.

Kanadaja e dënoi vendimin. Dominic Barton, ambasadori i Otavës në Kinë, tha se nuk ishte “rastësi” që vendimi të ishte lëshuar në këtë fazë të seancës së ekstradimit të Meng.

Barton gjithashtu përcolli një mesazh nga Spavor, i cili ishte me humor të mirë dhe donte të “kthehej në shtëpi”.

Pekini pohon se gjykimet ndaj Schellenberg, Spavor dhe Michael Kovrig, një diplomat i tretë kanadez, i cili gjithashtu është arrestuar, janë trajtuar në përputhje me ligjin kinez.

Të tre janë mbajtur veçmas në qendrat e paraburgimit, ku dritat mbahen të ndezura në çdo orë dhe stërvitja apo koha e lirë janë të racionuara rreptësisht.

Marrë dhe përshtatur nga Financial Times për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore