Kosova

Ahmeti situatën aktuale me COVID-19 e quan “tragjedi me vetëdije”


Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook situatën aktuale me COVID-19 në Kosovë e ka quajtur tragjedi me vetëdije.

“E vërteta është se me vaksinë je më i mbrojtur se pa vaksinë. Fatkeqësi ka qenë me vdekur kur s’ka pasur vaksinë, tash është tragjedi me vetëdije!”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ndërsa, ka thënë se mbi 50 milionë britanikë janë vaksinuar me AstraZeneca dhe mbi 100 milionë amerikanë me vaksinën e Pfizerit.

“104 vdekje për katër ditë! Në ditët kur shkatërrohen mbi 130 mijë vaksina e refuzohen qindra mijëra falas nga shtetet tjera. Mbi 50 milionë britanikë janë vaksinuar me A.Zeneca e mbi 100 milionë amerikanë me Pfizer. Leni teoritë e Facebookut”.

Ahmeti, ka thënë se Kosova ka dështuar edhe në sigurimin e vaksinave dhe në vaksinim.

“Prej korrikut të vitit 2020 kemi kërkuar që fokusi të jetë vetëm në vaksinë. Atëherë jemi përqeshur. Por është prej atyre rasteve kur je i pikëlluar pse e kemi pasur mirë. Kemi dështuar edhe në sigurimin e vaksinave edhe në vaksinim. Mos ta bëjmë këtë tragjedi edhe më të madhe”.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Të enjten e 2 shtatorit, 32 persona e kanë humbur jetën nga COVID-19, ndërsa kanë rezultuar 1 mijë 612 raste pozitive me COVID-19, në 24 orët e fundit në Kosovë.

Institutit Kombëtar i Shëndetit Publikë të Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare dhe në laboratorët privat me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 13 mijë 953 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në teren.

Sipas IKSHPK-së gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 2 mijë 460 persona gjithsejtë.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 26 mijë 524.

Numri total i rasteve të konfirmuar është 146 mijë 880 persona, ndërsa nga fillimi i pandemisë numri i rasteve të vdekjes është 2 mijë 525 persona.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë dhënë 20 mijë 618 vaksina kundër COVID-19.

Nga fillimi i vaksinimit e deri më tani në të gjithë Kosovën janë dhënë 862 mijë 224 doza të vaksinës.

Ndërsa të vaksinuar me dozën e dytë janë 291 mijë 645.

Një ditë më parë në Kosovë, 22 persona kanë humbur jetën ndërsa 1 mijë 894  raste pozitive me COVID-19.

Në shtatë ditët e fundit, Kosova ka regjistruar 11 mijë e 440 raste të reja dhe 170 viktima.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore