Lajme

Ahmeti për Mickoskin: Gjuajti me fishekzjarrë, unë me top dhe s’ka më të shtëna


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe lideri i “Frontit Evropian”, Ali Ahmeti, në tubimin përmbyllës në Tetovë ka thënë se lideri nacionalist maqedonas të VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, “e gjuajti me fishekzjarrë”, por Ahmeti theksoi se ia ktheu me “top”.

“Më një fishekzjarrë gjuajti Mickovski, unë gjuajta me top dhe nuk ka më të shtëna”, tha Ahmeti teksa iu ka adresuar simpatizantëve në sheshin “Iliria”.

“Sot jemi këtu për të bërë porosi për ata që mendojnë se ky Front kaq i organizuar e i etabluar ka mision historik anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian”.

“Ky vend e ka vendin në BE, ky vend duhet të jetë i anëtarësuar në BE më mbështetje të SHBA-ve ashtu siç u anëtarësuam në NATO”.

Tutje, Ahmeti ka potencuar se “asnjë herë nuk do zhgënjeni nga Fronti Evropian”, duke shtuar se “ne jemi përcaktuar për paqen, stabilitetin dhe shtetin e përparuar”.

Kreu i BDI-së ka porositur të pranishmit që më 8 maj kur do mbahen zgjedhjet parlamentare duhet të bëjnë një zgjidhje.

“Do votoni për ata që e bën historinë, apo për ata që nuk dinë dy hapa para t’i bëjnë. Më 8 maj nuk ka zgjedhje, ka referendum, dilni të gjithë dhe jepni verdiktin, sepse nuk do u zhgënjejmë”, theksoi ai.

Ndryshe, mijëra qytetarë kanë qenë prezentë në sheshin “Iliria” në qendër të Tetovës ku u mbajt tubimi përmbyllës i “Frontit Evropian” tri ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe raundit të dytë të atyre presidenciale në Maqedoni të Veriut.

Ndërkaq në një anketë të realizuar mes 29 dhe 30 prillit të këtij viti nga Insituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik (PIPOS), rezultatet e të cilit u publikuan në televizionin “Klan Kosova” zbuloi se rreth 70 për qind e respodentëve shqiptarë do të votojnë për koalicionin “Fronti Evropian” në zgjedhjet parlamentare.

Bazuar në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajt më 24 prill, zgjedhjet pritet të fitohen nga VMRO DPMNE-ja, e cila ka një qëndrim të fortë kundër ndryshimeve kushtetuese me arsyetimin se ato janë hartuar sipas “diktatit bullgar” dhe dëmtojnë interesat kombëtare maqedonase.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore