Shqipëria

Agjenti i “wannabe” Perandorisë


Aleksander Vucic dhe Dritan Abazovic

Shumëçka ka ndodhur kohëve të fundit në Mal të zi në emër të Zotit.

Pas tri dekadash, Gjukanoviç ra nga pushteti. Pastaj e para qeveri post-Gjukanoviç u formua me bekimin dhe ndihmën e Kishës Ortodokse Serbe. Dhe prapë, u rrëzua nga pasardhësit e Gjykanoviç-it dhe u formua një tjetër e kryesuar nga shqiptaro-malazezi e cila aktualisht është në krizë, po përsëri për shkak të çështjeve që kanë të bëjnë me Kishën.

Si është e mundur kjo në një vend ku në të kaluarën ka pasur pakrahasueshëm më shumë komunistë e ateistë sesa fetarë?

Është, sepse thellë në brendi çështja s’ishte – s’është – religjioze, por ka të bëjë me kontrollin e pushtetit dhe me agjentët e saj. Dhe ne të gjithë e dimë mirë që Ballkani gjithmonë ka qenë shumë i hapur për fate fatale të perandorive.

Fillon – si gjithçka tjetër në historinë e vonë të këtij shteti të vogël – me Millon.

Gjukanoviç ishte mësuar të qeveriste me ndryshimin e rregullave të lojës aq shpesh sa që gjithmonë loja mbetej e tija.

Ideologjia, identiteti, lojaliteti – gjithçka është e ndryshueshme nëse ndryshimi i shërben një fakti të thjesht – qëndrimit në pushtet.

Por (nganjëherë kjo POR në politikë gjithçka të thënë para saj e bën jo aq të rëndësishme) në fund të vitit 2019 ai doli kundër Kishës dhe e ndryshoi lojën aq shumë sa që për herë të parë humbi kontrollin mbi të dhe humbi shtrëngimin e gjithëpushtetshëm që kishte.

Pse?

Ndoshta sepse ai e pa që korrupsioni çdo ditë e më shumë po bëhej çështja kryesore edhe në vetëdijen e publikut edhe në komunitetin ndërkombëtar, prandaj përcolli rregullin politik: nëse s’na pëlqen biseda, le ta ndërrojmë temën.

Kështu zgjodhi temën që është mbi të gjitha temat – identitetin.

Dhe në Mal të Zi, temat që kanë të bëjnë me Kishën Ortodokse Serbe dhe trashëgimin e saj janë në altar të çështjeve identitare.

Ishte një zgjedhje prej kumarxhiu, njëjtë siç ishte mësuar t’i bënte edhe më parë. Dallimi është se kësaj here s’funksionoi. Në përplasje me Kishën, ai nuk ia doli të bënte që këndvështrimi i tij për pavarësinë e rrezikuar të shtetit të sundonte lojën, por pala tjetër e bëri lojë për vetë Gjukanoviç-in dhe miqtë e tij – për liderin e korruptuar që kujdeset vetëm për pushtetin dhe është i gatshëm të ndajë në mënyrë të rrezikshme kombin vetëm për ta sunduar atë.

Dhe mbase humbi për faktin e thjesht të ligjit të pashkruar të pushtetit që thotë se “kur je aq i fuqishëm – sa Millo ishte në atë kohë – s’mund ta rifillosh lojën dhe të mos luash kundër vetës”.

Pastaj ndodhi qeveria e parë post-Millo, që s’ia doli dot të qeverisë dhe jo për shkak të të panjohurave e këshillave të këqija, apo zgjedhjeve idiote, por për shkak të vetë njerëzve që supozohej se duhej të qeverisnin me institucionet, por që akoma ishin lojalë ndaj Gjukanoviç-it.

Nuk pati sukses, sepse në thelb ishte lojë e shtirur, reality show i transmetuar publikisht, ndërkohë që fuqia e vërtetë e zemrave dhe mendjeve të shumicës së atyre që votuan për ta nxjerr jashtë pushtetit partinë e Milos ishte në duart e Kishës, veçanërisht kur në krye vazhdonte të ishte ende i fortë kryeneçi Mitropolit Amfilohije.

Dhe natyrisht, pushteti real ishte në duart e presidentit serb. Ai merrte vendime që përçoheshin në Mal të Zi përmes marionetave të tij. Ky pushtet u bë edhe më i fuqishëm me vdekjen e peshkopit Amfilohije dhe Kisha Serbe në Mal të Zi humbi krejtësisht pavarësinë që kishte me liderin e saj karizmatik.

Por, qysh nga momenti i formimit të saj në Manastirin e Ostrog-ut, kjo qeveri e re kishte një wannabe lojtar që kishte treguar një zell kompulsiv për të qenë gjithmonë në qendër – Dritan Abazoviç.

Udhëheqësi aktual i qeverisë minoritare që u formua edhe me mbështetjen e DPS-së së Gjykanoviç-it.

Shqiptaro-malazez dhe mysliman që kampanjën e tij politike s’e bëri me çështje identitare – faktikisht i kundërshtoi ato në emër të luftës kundër korrupsionit dhe kundër përçarjeve. Ai e pa vetën si agjent të ndryshimit që do i zhvendosë politikat e Malit të Zi nga (cul de sac) qorrsokaku ku e kishin futur lojërat me identitetin.

Dhe duke qenë agjent ndryshimi, ai s’hezitoi të ndryshojë anë edhe vetë sa herë që i dukej e nevojshme. “Për të mirën e Malit të Zi”, do thoshte ai.

“Por edhe për të mirën e tij, për t’u bërë kryeministër”, do shtonin shumë të tjerë.

Prandaj u bë bashkë me Gjukanovic-in (më herët i akuzuar furishëm nga Abazoviç si koka e korrupsionit dhe kapës i shtetit) në mënyrë që të bënte qeverinë e re pro-qeveritare.

Por (ja ku vjen POR-i përsëri) gatishmëria për ta luajtur lojën nuk nënkupton domosdoshmërisht se je edhe lojtar. Veçanërisht kur brenda janë driblues të regjur.

Dhe kështu, i panjohur për ambicien e tij, agjenti i ndryshimit është bërë agjenti i kontrollit të pushtetit.

Një kontrollues i pushtetit është edhe Gjukanoviç që ka kapur shtetin dhe s’është i gatshëm ta lëshojë kollajë, edhe pse fuqia iu ka kalbur. Veçanërisht, pasi dita ditës duket se s’ka të bëjë thjesht me lëshim pushteti dhe burimesh për të dhe ata afër tij, por edhe me humbje të lirisë.

Kontrollues tjetër i pushtetit është Beogradi dhe Bota e Bashkuar Serbe (a.k.a Serbia e Madhe). Kjo është fuqia e Aleksandër Vuçiç në misionin e tij për t’u bërë Aleksandri i Madh i Ballkanit të Hapur.

Dhe cinizmi i fshehur i kësaj “dua të jem” Perandorie Ballkanike është se Abazoviç përbën një zgjedhje kaq të mirë për agjent, jo sepse është kozmopolitan e mendje hapur, por saktësisht se është shqiptar.

Çfarë fytyre tjetër do ishte më e mirë për synimet e tua perandorake se sa një njeri që përfaqëson ata që ishin dikur viktimë e këtyre synimeve?

Veçanërisht, nëse ai vetë mendon se si shqiptar është në pozitë më të mirë për të zgjidhur probleme komplekse dhe emocionale për malazezët, serbët dhe gjëegjëzën e tyre identitare. Gjëegjëza që u mbijetoi shekujve e perandorive, duke vazhduar edhe sot të jetë kingmaker në Mal të Zi.

Prandaj, mediat që përcjellin linjën e Vuçiç-it, si në Serbi si në Mal të Zi, ashtu edhe kukullat e tij politike, do vazhdojnë ta mbështesin Abazoviç-in.

Pse jo, derisa u kryen punë.

Tani është çështja e kontratës me Kishën Ortodokse Serbe, më vonë do jetë pjesëmarrja e Malit të Zi në Ballkanin e Hapur, dhe në fund, por larg nga synimi final akoma, censusi. Triniteti i shenjtë i politikave identitare në Mal të Zi dhe agjenda e Vuçiç-it brenda.

Por, ardhja e Borell dhe Varhejlli-it, të dy bashkë, si asnjëherë tjetër, në Mal të Zi, është tregues se BE-ja, megjithatë, qëndron prapa kësaj qeverie të Malit të Zi dhe vetë Dritan Abazoviç-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore