Lajme

Abraham bën thirrje që të respektohen standardet evropiane: Kosova në Këshill të Evropës për stabilitetin e rajonit


Knut Abraham

Knut Abraham, deputet nga radhët e Unionit Kristian-Demokrat (CDU) në Parlamentin e Gjermanisë, njëherësh anëtar i delegacionit gjerman në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielen, tha se anëtarësimi i Kosovës në organizatën më të vjetër evropiane është rruga e vetme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Në prag të vendimmarrjes historike në Komitetin e Ministrave për apo kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, deputeti gjerman u bëri thirrje vendeve anëtare që të votojnë në favor të vendit të vogël ballkanik, sepse sipas tij, nga kjo varet kredibiliteti i Këshillit të Evropës, mbrojtja e të drejtave të pakicave etnike në Kosovë dhe mbi të gjitha, stabiliteti rajonal.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta demokratike evropiane. Megjithatë, nuk janë përfaqësuesit e popullit ata që e japin fjalën e fundit kur bëhet fjalë për pranimin e anëtarëve të rinj, por ministrat e jashtëm.

“Komiteti i Ministrave ka dy zgjedhje: Të veprojë në përputhje me vlerat dhe standardet tona duke e pranuar Kosovën në maj. Ose, ta injorojë vlerësimin e detajuar të juristëve të shquar, tri raportuesve, tri komisioneve dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës… duke mos marrë asnjë vendim”, nënvizoi Abraham në 75-vjetorin e themelimit të organizatës.

“Kjo [e dyta] do të dërgonte një sinjal të dëmshëm për deputetët dhe qytetarët në rajon: se shtetet mund t’i shpërfillin standardet si të duan. Nga ky vendim varet besueshmëria e institucionit, mbrojtja e të drejtave të pakicave në Kosovë dhe stabiliteti i rajonit. Nëse respektojmë standardet dhe vlerat, atëherë pranimi i Kosovës në maj është e vetmja rrugë përpara”, shtoi ai.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Kjo çështje mori epilog kur Qeveria e Kosovës vendosi në mars t’ia dorëzojë pronësinë e 24 hektarëve tokë Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor që manastirit t’i jepej toka në vitin 2016, por qeveritë e njëpasnjëshme kosovare refuzuan ta zbatonin vendimin e gjykatës. E për fatin e Kosovës vendoset në mes të muajit maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore