Sport

Abissnet Superiore, Skënderbeu pret Kukësin, Tirana tjetër derbi me Dinamon


Dy ndeshje do të luhen në Abissnet Superiore këtë të shtunë. Në Korçë, Skënderbeu do të presë Kukësin. Në kryeqytet do të riluhet përsëri derbi mes Tiranës dhe Dinamos. Vetëm tre ditë më parë dy skuadrat u ndeshën në Kupën e Shqipërisë. Dinamovitët fituan me shifrat 2-0.

Ndeshjet do të luhen për javën e tetë të Superiores. Ndeshja e parë do të luhet në Korçë, duke filluar nga ora 16:45. Ajo në kryeqytet do të luhet nga ora 19:45.

Skënderbeu renditet në vendin e fundit të Superiores me tre pikë pas shtatë javësh të luajtura. Kukësi renditet në vendin e dytë me 14 pikë.

Korçarët nuk e kanë shijuar ende fitoren e parë në shtëpi këtë sezon. Verilindorët në transfertë numërojnë dy fitore dhe dy barazime.

Përballja e fundit mes tyre ishte para gjashtë muajsh dhe në po të njëjtin stadium. Vendasit fituan me rezultatin 2-1.

Tirana do të presë Dinamon, tre ditë pas humbjes në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Kjo do të jetë përballja numër 138 mes dy klubeve nga kryeqyteti.

Në total, në 137 sfidat e mëparshme, Tirana ka fituar 57 përballje, Dinamo 46 dhe 34 ndeshje kanë përfunduar në barazim.

Për herë të fundit, dy skuadrat në Superiore janë ndeshur në vitin 2012. Sfidën atë kohë e fitonte Dinamo me shifrat 3-2.

Në sezonin aktual, Tirana kryeson renditjen e Superiores me 17 pikë. Dinamo renditet në vendin e gjashtë me nëntë pikë.

Në katër ndeshje si ekip pritës, bardhblutë kanë fituar tre dhe kanë barazuar një. Dinamo në katër ndeshje të luajtura në transfertë, ka fituar dy dhe ka barazuar dhe humbur nga një herë.

Superiorja do të vijojë me dy ndeshje të dielën dhe një të hënën. Laçi pret Teutën, Kastrioti pret Partizanin dhe ndeshja e fundit është ajo mes Egnatias dhe Vllaznisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore