Lajme

Abazi: Heqja e vizave nuk u fut as në konkluzionet e Samitit të Bërdo-s


Kryetari i Komisionit të Kuvendit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi

Temë e bisedimeve mes Kryetari i Komisionit të Kuvendit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi dhe shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ishte (mos)liberalizimi i vizave për kosovarët.

Heqja e vizave për kosovarët nuk u fut as në konkluzionet e dala nga Samiti i BE-Ballkani Perëndimor i mbajtur në Bërdo të Sllovenisë më gjashë tetorë.

“Çështjet kryesore të diskutimit ishin konkluzionet, përfundimet e nxjerra nga takimi i Bërdo, liberalizimi i vizave një prej çështjeve që po përcjell Kosovën”.

Kjo, sipas Abazit ka ndodhur për shkak se procesi integrues dhe heqja e vizave, janë dy çështje krejtësisht të ndara, ka thënë, Abazi pas takimit që zgjati hiq më pak se një orë e gjysmë me shefin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Në takim gjithashtu sipas Abazit janë biseduar edhe çështjet e tjera të integrimeve evropiane për Kosovën.

“Diskutuam për dialogun Kosovë-Serbi dhe përkushtimin e zotimit të institucioneve të Kosovës për t’i përmbushur obligimet tona në rrugëtimin evropian. Takimi ishte konstruktiv, biseduam gjerë e gjatë për pikëpamjet e BE-së dhe pritjet e qytetarëve. E mira është dhe e bukura e kësaj është se u pajtuam se nuk ka rrugë tjetër për Kosovën përveç se përfundimi në rrugëtimin evropian”, ka thënë ai.

Gjithashtu, dialogu me Serbinë ishte njëra ndër bisedat mes Abazit dhe Szunyog, pra të ketë trajtim të barabartë mes dy shteteve në procesin e dialogut i cili po negociohet nga BE.

“Në këtë gjendje çfarë jemi, nuk mund të flasim për bashkëpunim rajonal kur kemi pengesa. Ju po flisni për bllokadën e dy shteteve për bllokim të bashkëpunimit rajonal, por është vetëm një, është vetëm Serbia që po saboton të drejtën e Kosovës për të qenë e barabartë”.

“Kjo është arsyeja pse insistimi ynë për vazhdimin e Procesit të Berlinit është këmbëngulës, pasi vetëm aty mund të realizojmë të drejtat e barabarta si shtet në proceset rajonale”, tha Abazi pas takimit.

Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë (ASK), sipas Abazit nuk ka qenë temë e bisedës me Szunyog.

Abazi tha se shteti i Kosovë duhet të angazhohet sa më shumë në përfitimin e fondeve të IPA III, pasi tash është në konkurrencë me shtetet tjera rajonale.

Nga ana tjetër, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë nuk ka pranuar të flasë për gazetarët lidhur me bisedën e zhvilluar me Kryetarin e Komisionit të Kuvendit për Punë të Jashtme dhe Diasporës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore