Lajme

A mund ta ndalë Kosova rritjen e çmimeve?


Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin e publikuar më 7 dhjetor, ka bërë të ditur se çmimet e produkteve të konsumit janë rritur për 5.7 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2021.

Rritja më e lartë është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.

Rritje ka pësuar edhe çmimi i energjisë elektrike.

Situatë e ngjashme me çmime është edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.

Deri te kjo ka ardhur për shkak të pengesave në zinxhirin e furnizimeve që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, si edhe për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

Për të lehtësuar bazën ekonomike mbi qytetarët, vende si Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë ngrirë çmimet e produkteve bazike.

Qeveria e Kosovës thotë se është duke bërë veprime të tjera, që, sipas saj, do t’i përgjigjen në mënyrë të ligjshme dhe të përshtatshme situatës së krijuar.

“Jemi duke punuar në funksionalizimin e plotë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, nëpërmjet plotësimit të bordit”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu për REL.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tashmë ka proceduar për miratim Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili parasheh fushat dhe format e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për konkurrencë të shëndoshë të tregut”, shton ai.

Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

Një formë për ndërhyrje: Rritja e pagave

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, potencon se vendimi potencial i Qeverisë për ngrirje apo ndërhyrje në çmimet e tregut do të binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Nuk e di nëse ngrirja e çmimeve është mënyra më e mirë. Nuk e kam parë këtë praktikë në nivel evropian, duhet shikuar formë tjetër, jo në këtë formë”, thotë Rukiqi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi

Si formë tjetër, ai përmend rritjen e pagave.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

Rukiqi thekson se në Kosovë, qysh në vitin 1999, nuk ka pasur inflacion më të

Sipas profesorit të ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, Qeveria e Kosovës duhet të nisë me subvencionimin e prodhuesve ose të ndërhyjë në planin e politikave sociale, për të zbutuar situatën që ka krijuar rritja e çmimeve.

Në tetor, Qeveria e Kosovës, ka ndarë disa mjete nga Pakoja e saj për Rimëkëmbje Ekonomike, për mbështetjen e përfituesve nga skemat sociale dhe pensionale.

Përfituesit e skemave pensionale, në muajin nëntor, kanë marrë nga 100 euro shtesë mbi pensionin e rregullt, ndërsa përfituesit e skemave sociale, në muajt nëntor dhe dhjetor, marrin dyfishin e pagesës sё rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore