Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka thënë se nuk ka qenë i informuar për takimin e paparalajmëruar të së martës në mes të Presidentit kroat, Zoran Milanoviç, me Presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik.
Kreu i ekzekutivit kroat theksoi se tani pret një iniciativë nga opozita kroate për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit, ku do t’i kërkohet Zoran Milanoviç-it të japë një deklaratë të detajuar se si ishte e mundur që mysafiri i tij të vinte tek ai pa paralajmërim në mënyrën e zakonshme.
“Pres një iniciativë urgjente nga opozita për të thirrur menjëherë një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit kroat, për të diskutuar këtë temë dhe për të kërkuar një deklaratë nga Presidenti i Republikës se si ka mundësi që i ka ardhur një mysafir pa u njoftuar në mënyrën e zakonshme”, pohoi kreu i ekzekutivit malazez.
Këto komente ai i ka bërë pas mbledhjes së qeverisë, duke iu përgjigjur pyetjes se a e dinte që Dodik po vinte në Hvar, transmetojnë mediat kroate.
“Nuk e di. Kjo është një situatë shumë e pazakontë. Nuk kam asnjë ndikim se kë fton Presidenti i Republikës në Kroaci. Ai ka lirinë dhe të drejtën e plotë për ta bërë këtë. Kjo ka të bëjë më shumë me teknologjinë e atij udhëtimi”, potencoi Plenkoviç.
Në pyetjen nëse Ministria e Punëve të Brendshme kroate kishte informacion për të, për shkak të hyrjes në hapësirën ajrore të Kroacisë, Plenkoviç tregoi se nuk e kishte në një mënyrë që do të ishte normale.
“Nëse shteti, të gjitha shërbimet e tij, shërbimet diplomatike, policia, kontrolli i trafikut ajror, ushtria kroate, të gjithë ata që duhet ta dinë, do t’i kërkoheshin lejet e zakonshme, të gjitha do të ishin miratuar, kështu që ky lloj ardhjeje mistike duket pak e jashtëzakonshme për mua. Por, mirë, kur ke njerëz që as nuk e respektojnë festën e tyre kombëtare, atëherë mendoj se kushdo mund të vijë si mysafir i tyre, në çfarëdo mënyre dhe pa paralajmërim”.
Sipas mediave kroate, Millorad Dodik ka shkuar në takimin me Milanoviç-in në Hvar të Kroacisë me helikopter serb, ndërsa tërë këtë kryeministri kroat thotë se e ka parë në media.
“Nuk isha në dijeni se me helikopterin e kujt po vinte dhe si po vinte. Ju bëj thirrje të gjithëve, keni të drejtë, që personi që e ka thirrur Dodik-un t’i shpjegojë të gjitha ato detaje”.
Ndryshe, Presidenti kontrovers i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ishte takuar të martën me Presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik.
Siç njoftonte zyra e presidentit kroat, “në takimin e punës që u mbajt në Hvar, presidenti Milanoviç dhe Dodik diskutuan për situatën aktuale në Bosnje dhe Hercegovinë dhe marrëdhëniet e këtij vendi fqinj me Republikën e Kroacisë”.
“Në këtë kontekst, ata diskutuan veçanërisht nevojën për të krijuar një qeveri funksionale dhe efikase në BeH që do të sigurojë pjesëmarrjen e barabartë të përfaqësuesve legjitimë të të tre kombeve përbërëse [kroat, serb dhe boshnjak]”.
Dodik, thuhet të ketë informuar kreu e Kroacisë për bisedimet dhe proceset “që po tentojnë të zgjidhin krizën institucionale dhe politike në BeH, ku u pajtuan se është e nevojshme si për mirëqenien e të tre popujve në BeH, ashtu edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të BeH-së”.
Republika e Kroacisë, potencohej në komunikatë, “mbështet dhe mirëpret të gjitha marrëveshjet e përfaqësuesve legjitimë politikë të tre kombeve në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat sigurojnë barazinë e tyre, stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe rrugën e saj evropiane”.
Ky takim i Milanoviç-it me presidentin autoritar të RS-së vjen në një kohë kur në Bosnje e Hercegovinë ka një krizë politike.
Kjo krizë është shkaktuar pikërisht nga Dodik, me veprimet e tij de-stabilizuese dhe anti-Dejton (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995).
Madje, edhe e gjithë bashkësia e organizuar ndërkombëtare ka kundërshtuar këto veprime të tij, duke paralajmëruar edhe masa ndëshkuese ndaj tij.
Kujtojmë se Dodik është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në atë të Mbretërisë së Bashkuar.
Nga ana tjetër, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, njihet për qëndrimet e tij kontroverse.
Ai shpesh kundërshton publikisht organizmin ku shteti që ai udhëheqë bënë pjesë, Bashkimin Evropian.
Qëndrim për tu habitur kishte mbajtur edhe për agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës, madje kur e gjithë bota perëndimore po i ndihmonte Kievit, Milanoviç kishte refuzuar që ushtarët ukrainas të stërviteshin nga Kroacia.
Milanoviç takohet me Dodik-un, diskutojnë për situatën aktuale në BeH
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Nikolla takim me senatorin Casini: Italia mbështet përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE
-
Hasani takim me Kaja Kallas: Diskutime për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe
-
Osmani takohet me Hillary Clinton-in: SHBA-ja vazhdon ta ndihmojë Kosovën
-
Arrestohet IT i Gjykatës së Korçës, kancelarinë e ktheu në bazë prodhimi të dokumenteve false
Lajmet kryesore
-
Dekarbonizimi i ndërmarrjeve energjetike të BP-së: Plane ambicioze por fleksibël, me fokus në investime dhe teknologji të reja
-
Arrestohet IT i Gjykatës së Korçës, kancelarinë e ktheu në bazë prodhimi të dokumenteve false
-
Nikolla takim me senatorin Casini: Italia mbështet përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE
-
Serwer: S’ka kuptim që Kosova të kushtëzohet me themelim të Asociacionit për t’u anëtarësuar në KiE