Lajme

Milanoviç takohet me Dodik-un, diskutojnë për situatën aktuale në BeH


Zoran Milanoviç dhe Millorad Dodik

Presidenti kontrovers i Kroacisë, Zoran Milanoviç, është takuar këtë të marte me Presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik.

Siç njofton zyra e presidentit kroat, “në takimin e punës që u mbajt në Hvar, presidenti Milanoviç dhe Dodik diskutuan për situatën aktuale në Bosnje dhe Hercegovinë dhe marrëdhëniet e këtij vendi fqinj me Republikën e Kroacisë”.

“Në këtë kontekst, ata diskutuan veçanërisht nevojën për të krijuar një qeveri funksionale dhe efikase në BeH që do të sigurojë pjesëmarrjen e barabartë të përfaqësuesve legjitimë të të tre kombeve përbërëse (kroat, serb dhe boshnjak)”.

Dodik, thuhet të ketë informuar kreu e Kroacisë për bisedimet dhe proceset “që po tentojnë të zgjidhin krizën institucionale dhe politike në BeH, ku u pajtuan se është e nevojshme si për mirëqenien e të tre popujve në BeH, ashtu edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të BeH-së”.

Republika e Kroacisë, potencohet në komunikatë, “mbështet dhe mirëpret të gjitha marrëveshjet e përfaqësuesve legjitimë politikë të tre kombeve në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat sigurojnë barazinë e tyre, stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe rrugën e saj evropiane”.

Ndryshe, ky takim i Milanoviç-it me presidentin autoritar të RS-së vjen në një kohë kur në Bosnje e Hercegovinë ka një krizë politike.

Kjo krizë është shkaktuar pikërisht nga Dodik, me veprimet e tij de-stabilizuese dhe anti-Dejton (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995).

Madje, edhe e gjithë bashkësia e organizuar ndërkombëtare ka kundërshtuar këto veprime të tij, duke paralajmëruar edhe masa ndëshkuese ndaj tij.

Kujtojmë se Dodik është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në atë të Mbretërisë së Bashkuar.

Nga ana tjetër, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, njihet për qëndrimet e tij kontroverse.

Ai shpesh kundërshton publikisht organizmin ku shteti që ai udhëheqë bënë pjesë, Bashkimin Evropian.

Qëndrim për tu habitur kishte mbajtur edhe për agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës, madje kur e gjithë bota perëndimore po i ndihmonte Kievit, Milanoviç kishte refuzuar që ushtarët ukrainas të stërviteshin nga Kroacia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore