Rama uron ndërrimin e viteve – Sot do t’ju lë rehat, ju kërkoj falje për çfarë s’kam bërë dot, por duhet të bashkohemi për të kapur majat
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një videomesazhi në Facebook, ka uruar festën e ndërrimit të viteve, duke i dhënë fjalës së tij edhe tone humori e duke vetëironizuar daljet e tij të shpeshta në publik.
Pikërisht nga ky aspekt, Rama e ka nisur urimin, duke i kërkuar ndjesë shqiptarëve, për praninë e tij të shtuar mediatike për shkak të postit që mban.
“Të dashur bashkëqytetarë të një gjuhe dhe një flamuri”, e nisi kreu i Qeverisë fjalën e tij. “Dua sot t’ju uroj shëndet, mbarësi. Sa më shumë ëndrra pas dere. Keni dëgjuar shumë fjalime të gjata. Ju kam dalë në ekran pa pushim. Shpresoj jo edhe në gjumë!”.
Rama ka falënderuar sakaq qytetarët për durimin që kanë treguar mbi këtë gjë. Por, mbi të gjitha, ai i ka falënderuar ata për mandatin e tretë që ka fituar këtë vit, për të drejtuar vendin.
Në një ton vetëkritikues, ai ka thënë se dëshiron “t’i lërë rehat” qytetarët në natën e ndërrimit të viteve.
Por, ka bërë thirrje për bashkim në punën e gjithësecilit.
“Shqipërinë, me punë me mund, me durim, do ta çojmë aty ku kanë ëndërruar të parët tanë”, nënvizoi ai.
“Të dalim nga llogoret ndarëse e përçarëse. Të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin, të afrohemi më shumë me njëri-tjetrin. Aq më shpejt, do të ngjitemi si vend e vëllazëri shqiptare, në majën e dëshiruar”.
Në mbyllje, ai ka gjetur rastin të urojë edhe shqiptarët e diasporës.
“Nuk jemi shumë”, ravijëzoi kryeministri. “Por sa shumë jemi kudo dhe sa shumë mund të bëjmë nëse së bashku ndajmë hallet dhe dimë të përqafohemi në gëzime”, përfundoi ai.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Gati për konsultim publik Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Vjosës, thotë Rama
-
Escobar: Opozita të gjejë rrugën e saj, mos të drejtohet nga dikush që na kujton kohët e vështira
-
U zbuluan nga megaoperacioni i SPAK, përjashtohen nga Policia e Shtetit dy efektivë të lidhur me bandat
-
Projekt pilot për pagesat elektronike, Rama: Eviton evazionin nga bizneset