Lajme

8 mijë trupa britanike do të zbarkojnë në Evropën Lindore


Rreth 8 mijë trupa britanike do t’i bashkohen një serie misionesh stërvitore në kontinent gjatë verës, ku pjesa më e madhe e tyre do të shkojnë drejt vendeve të Evropës Lindore.

Ky do të jetë edhe një prej zbarkimeve më të mëdha të trupave ushtarake britanike që prej Luftës së Ftohtë.

Ishte sekretari Mbrojtjes, Ben Wallace, ai i cili e dha lajmin, duke theksuar se këto stërvitje do të ishin edhe “një shfaqje e solidaritetit dhe fuqisë, e cila do ta pengojë agresionin në një shkallë të paparë ndonjëherë në kontinent gjatë këtij shekulli”, duke iu referuar mësymjes ruse në Ukrainë.

Trajnimi ka qenë i planifikuar prej kohësh, por duke parë situatën e krijuar nga Moska muajt e fundit, numrat ushtarakë në trajnime, të cilët do të angazhohen, kanë parë rritje shumë të madhe.

Ushtarët nga gjithë Evropa, do të bashkohen në ekspedita të ndryshme, përfshi në vende si Finlanda apo Suedia.

Këto të dyja, së fundmi, po mendojnë aplikimin për anëtarësim në aleancën e NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore