Lajme

700 viktima në Izrael dhe 413 në Gaza – IDF-ja nis një valë të re sulmesh ajrore në Rripin e Gazës


Bilanc tragjik vijon të rëndohet pas dyluftimeve mes militantëve të Hamasit dhe IDF-së (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit), ku 700 persona të paktën kanë mbetur të vrarë në Izrael, sipas raportimit nga transmetuesi Channel 13, me mbi 2 mijë të plagosur.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë më herët se po kryejnë një valë të re sulmesh ajrore në Rripin e Gazës.

IDF-ja thotë se po godet objektivat që i përkasin grupit terrorist Hamas.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Rripin e Gazës thotë se 413 palestinezë janë vrarë dhe 2 mijë e 300 të tjerë janë plagosur në Rripin e Gazës.

Shumica e tyre me sa duket u vranë në Rripin e Gazës si rezultat i sulmeve hakmarrëse të Izraelit.

IDF tha se ka vrarë të paktën 400 terroristë palestinezë si në Izrael ashtu edhe në sulmet në Gaza.

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP) ka bërë thirrje për krijimin e korridoreve humanitare për të sjellë ushqim në Gaza ndërsa sulmet ajrore izraelite goditën enklavën palestineze.

“Ndërsa konflikti intensifikohet, civilët, duke përfshirë fëmijët dhe familjet e cenueshme, përballen me sfida në rritje në aksesin në furnizimet thelbësore ushqimore”, tha WFP-ja.

WFP-ja ofron ndihmë të drejtpërdrejtë ushqimore për rreth 350 mijë palestinezë çdo muaj, ndërsa ofron gjithashtu ndihmë për gati një milion palestinezë në bashkëpunim me partnerë të tjerë humanitarë nëpërmjet transfertave të parave.

“Ndërsa shumica e dyqaneve në zonat e prekura në Palestinë aktualisht mbajnë rezerva ushqimore për një muaj, këto rrezikojnë të shterohen me shpejtësi pasi njerëzit blejnë ushqime nga frika e një konflikti të zgjatur”, tha ai.

Çfarë ndodhi?

Militantët e Hamasit hynë në territorin izraelit mëngjesin e 7 tetorit, pas një shiu të vërtetë raketash hedhur mbi shtetin hebre – rreth 7 mijë siç pretendohet nga drejtuesit e grupimit terrorist.

Pamjet bënë menjëherë xhiron e rrjetit dhe u vu re se ishte një mësymje e plotë në rajonet jugore.

Video të personave të vrarë qarkullonin kudo në platformat online.

Grupimi terrorist Hamas mori menjëherë përgjegjësinë e plotë mbi zhvillimet. Operacioni i tyre ishte i qartë: rimarrja e kontrollit në Xhaminë Al-Aqsa dhe operacioni u quajt “Al-Aqsa Flood”.

Njoftimin për shtyp e ka bërë publik kreu i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniya.

Këto fjalë shkruhen në të:

Armiku që rrethon Gazën, ka planifikuar ta befasojë atë dhe të përshkallëzojë agresionin kundër popullit tonë në Rripin e Gazës, përveç zgjidhjes dhe agresionit që vazhdon çdo moment në Bregun Perëndimor, i cili kërkon të çrrënjosë popullin tonë dhe t’i dëbojë ata nga toka e tyre.

Kërkon të çrrnjosë krimet e okupimit kundër popullit tonë në vitet 1948, pasi ai qëndron pas të gjitha operacioneve të vrasjeve dhe atentateve atje, dhe vazhdimi i pushtimit për të mbajtur të burgosurit tanë për dekada dhe duke refuzuar marrëveshjet kur ai ri-arrestoi të çliruarit nga marrëveshje shkëmbimi.

Për të gjitha këto, ne po zhvillojmë një betejë nderi, qëndrese dhe dinjiteti për të mbrojtur Al-Aqsa, nën titullin e shpallur nga Vëllai i Përgjithshëm, Komandanti Abu Khaled Al-Deif, “Al-Aqsa Flood”.

Kjo “përmbytje” filloi në Gaza dhe do të shtrihet në Bregun Perëndimor dhe jashtë saj, dhe çdo vend ku populli dhe kombi ynë janë të pranishëm.

Lufta, kështu, u ndez…dhe vijon!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore