Shqipëria

6 vatra zjarri aktive në Shqipëri, nuk paraqesin rrezikshmëri


Nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë u njoftua të premten e 13 gushtit se aktive janë gjashtë vatra zjarri në vend. Këto vatra nuk paraqesin rrezik në njerëz dhe në banesa.

Ndërkohë gjatë natës janë riaktivizuar dy vatra zjarri, njëra në fshatin Patalej, Bashkia Lezhë dhe zjarri në fshatin Thirrë, Bashkia Mirditë.

Aktualisht këto vatra paraqiten me intensitet të ulët dhe strukturat janë në ndjekje të situatës.

Në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku  i Thive, Bashkia Kukës, zjarri vijon të jetë aktiv, por me intensitet të ulët.

Sipas njoftimit, raportohet se ka filluar përsëri operacioni nga ajri dhe me forcat në terren. Situata është në monitorim.

Po ashtu, një zjarr ka rënë në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha në fshatin Mbreshtan, Bashkia Kolonjë.

Zjarri është shumë larg nga zona e banuar dhe nuk paraqet rrezikshmëri, ndërsa situata është në ndjekje.

Ndërkaq zjarri në malin e Tërbunit, Bashkia Pukë, vijon të jetë aktive. Për të mobilizuar situatën vazhdon operacioni nga ajri.

Po ashtu, dy vatra aktive zjarri vijojnë të jenë aktive, por me intensitet të ulët në fshatin Radat, bashkia Dropull.

Të gjitha këto vatra po monitorohen dhe gatishmëria nuk ka munguar në asnjë moment për shuarjen e zjarrit.

Prej dy javësh zjarret kapluan Shqipërinë. Për pasojë, çifti i bashkëshortëve nga Gjirokastra humbën jetën, teksa përpiqeshin të shuanin zjarrin.

Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të këtyre zjarrvënieve.

Deri më tani janë arrestuar dhjetëra persona, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore