Lajme

45 ankesa dorëzohen tek Avokati i Popullit për Ligjin e Pagave


45 ankesa ka pranuar Institucioni i Avokatit të Popullit për Ligjin për Pagat. Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënës i Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku.

“Ankesa kemi pranuar nga sindikatat dhe institucionet e vendit. Janë duke u shqyrtuar”, tha ai.

Ai ka theksuar se janë ankuar edhe profile të zyrtarëve të cilët ankesën e kanë bërë në emër të tyre individual dhe grupor.

Me ligjin e ri, niveli i koeficienteve do të sillet nga 2 deri në 18 dhe do të afektojë rreth 83 mijë punëtorë të sektorit publik.

Më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit, ndërsa më i ulëti u takon pozitave si; rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Nga 120 sa ishte vlera e koeficientit për paga në sektorin publik, Qeveria e Kosovës me Ligjin e ri e ka ulur në 105, çka nënkupton paga më të vogla për rreth 80 mijë punonjës të administratës së shtetit në të gjithë sektorët.

Uljen e vlerës së koeficientit e pati bërë publike vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Vlera nuk do të barazojë atë të vjetrën as në vitin e ardhshëm, meqë është parapara që nga viti 2024 të jetë 110 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore