Lajme

300 ushtarë amerikanë pritet të arrijnë në Kosovë


Rreth 300 anëtarë të Gardës Kombëtare të Indianës janë nisur për në Kosovë për një mision nëntë mujorë të fokusuar në siguri, shkruan thetimes.

Ekipi luftarak i Brigadës së 76-të të Këmbësorisë së Divizionit të 38-të të Këmbësorisë, i cili përfshin afërsisht 20 ushtarë nga Indiana Veriperëndimore, u nis nga kampi Atterbury të shtunën si Task Force Nighthawk dhe fillimisht u ndal në Gjermani gjatë rrugës për në Kosovë.

Kur të mbërrijnë në Kosovë, ushtarët e task-forcës do të udhëheqin Komandën Rajonale-Lindje nën autoritetin e NATO-s në mbështetje të Operacionit Joint Guardian, një mision shumëkombësh që ruan lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës që nga viti 1999.

“Burrat dhe gratë e kësaj brigade do të punojnë për të siguruar që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të mbeten të forta dhe se qëllimi ynë kolektiv për shtete të pavarura, multietnike në shoqëri që bashkëjetojnë në mënyrë paqësore në Ballkanin Perëndimor do të realizohet”, tha gjeneralmajor Dale Lyles.

“Dislokimi ynë demonstron vendosmërinë e Amerikës për të mbrojtur sovranitetin e kombeve të lira dhe demokratike si Kosova”, shtoi ai.
Hoosiers janë rotacioni i 31-të i forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara me bazë në Kampin Bondsteel në Kosovë.

Trupa nga Polonia, Letonia, Zvicra, Turqia, Sllovenia, Greqia, Hungaria dhe Italia po shërbejnë gjithashtu në Komandën Rajonale-Lindje.

Koloneli Chris Mabis, udhëheqës i Task Force Nighthawk, tha gjatë një ceremonie nisjeje të premten se ushtarët e Gardës Kombëtare të Indianës “përfaqësojnë më të mirën që Shtetet e Bashkuara kanë për të ofruar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore